Protesta zhvillohet në një ditë simbolike për demokratët, që përkon me 22 marsin, datë që shënon fitoren e Partisë Demokratike në zgjedhjet e para pluraliste në vitin 1992. Ndërkohë, e njëjta ditë përkon edhe me festën e Sulltan Novruzit për komunitetin bektashi...
Partia Demokratike mban sot protestën e radhës në Tiranë, duke mbledhur mbështetësit në orën 18:00 në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, përpara Kryeministrisë, në vijim të aksionit opozitar kundër qeverisë.
Tubimi vjen pas protestës së fundit, e cila u shoqërua me tensione dhe incidente, ku pati edhe hedhje mjetesh të forta drejt institucioneve shtetërore. Në këtë kontekst, edhe për protestën e sotme nuk është parashikuar ngritja e një podiumi për fjalime, duke lënë të kuptohet se forma e tubimit do të jetë e ngjashme me atë të mëparshmen.

Sipas mesazhit të shpërndarë në strukturat e Partisë Demokratike, protesta është pjesë e një aksioni politik që synon largimin e qeverisë. Në thirrjen drejtuar mbështetësve thuhet se “rezistenca nuk ndalet deri në largimin e tij, deri në qeveri teknike dhe zgjedhje të lira”, ndërsa ftohen qytetarët të marrin pjesë në tubimin e së dielës në orën 18:00.
Protesta zhvillohet në një ditë simbolike për demokratët, që përkon me 22 marsin, datë që shënon fitoren e Partisë Demokratike në zgjedhjet e para pluraliste në vitin 1992. Ndërkohë, e njëjta ditë përkon edhe me festën e Sulltan Novruzit për komunitetin bektashi.
Në funksion të garantimit të rendit dhe sigurisë, Policia e Tiranës ka angazhuar rreth 1500 efektivë, ndërsa ka vendosur masa të forta sigurie në institucionet kryesore. Kryeministria, Kuvendi dhe zona përreth Xhamisë së Namazgjasë janë rrethuar me gardhe metalike.

Sipas njoftimit zyrtar të Policisë, janë parashikuar edhe kufizime të qarkullimit në disa akse kryesore të kryeqytetit. Nga ora 09:30 është bllokuar bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nga Ura deri në kryqëzimin me rrugën “Ismail Qemali”, ndërsa nga ora 15:00 janë bllokuar edhe rrugët “Ukraina e Lirë”, “Papa Gjon Pali II” dhe “Ismail Qemali”.

Policia ka bërë të ditur se, në varësi të zhvillimit të protestës, mund të ketë edhe kufizime të tjera të përkohshme në akse të ndryshme, ndërsa është planifikuar devijimi i qarkullimit në rrugë alternative për të lehtësuar lëvizjen e qytetarëve.
Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve të tregojnë mirëkuptim për kufizimet dhe të shmangin përfshirjen në çdo veprim të kundërligjshëm që mund të cenojë rendin dhe sigurinë publike. /Pamfleti
Kjo nuk është një opozitë serioze. Apo ka një marrëveshje të fshehtë me Ramën. Pse? Sepse nuk ka aktivitet në zyrën e Ramës sot dhe nesër, Rama është me pushime dhe opozita po proteston kundër murit! Mos vallë PD po proteston për murin? Me sa duket, PD është e verbër.Tregoni se jeni opozitë dhe alternativë e sinqertë duke mbledhur masa në kryqëzimin e Aeroportit.