TAGS-AT E JAVËS

Politike 9 Shkurt 2024, 09:44

Përplasja Kurti-Vuçiç në OKB, reagon Rama: Seancë e pakuptimtë, Kosova të koordinohet me aleatët

Shkruar nga Pamfleti
Përplasja Kurti-Vuçiç në OKB, reagon Rama: Seancë e
Edi Rama

Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas përballjes në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, midis Albin Kurtit dhe Aleksandar Vuçiç.

Rama thotë se se seanca në Këshillin e Sigurimit ishte e pakuptime dhe se Kosova duhet të jetë në një linjë me aleatët.

'Ishte një seancë pa kuptim. Këshilli i Sigurimit i OKB-së është e qartë se nuk është vendi për asgjë që lidhet me Kosovën. Si dy vende sovrane që aspirojnë anëtarësimin në BE, Kosova dhe Serbia duhet të përqendrohen plotësisht në dialogun e lehtësuar nga BE-ja dhe të fokusohen në arritjen e marrëveshjeve për qarkullimin financiar, shërbimin postar, taksimin e dyfishtë dhe të gjitha çështjet e tjera që përfitojnë jetën e përditshme të njerëzve të zakonshëm duke siguruar edhe një të ardhme paqësore për brezat e ardhshëm. Ndërsa qëndrojmë pranë Kosovës në parandalimin e çdo kërcënimi të jashtëm, Shqipëria do të vazhdojë t'i theksojë lidershipit kosovar rëndësinë e koordinimit të ngushtë me aleatët e saj kryesorë. Qëndrimi i palëkundur dhe i vazhdueshëm së bashku me ta tregon ndjenjën e vizionit dhe përgjegjësisë shtetërore, ndërkohë që çdo rast i qëndrimit të vetëm në rrugën e njohjes së plotë e zbeh pozitën e vendit në sferën publike të marrëdhënieve ndërkombëtare.', shkruan Rama.

Dje në mbledhjen e jashtëzakonshme në OKB, u diskutua për situatën në Kosovë. Vuçiç tha se vendimi për dinarin është sulm ndaj popullatës serbe në Kosovë. Presidenti serb shtoi se situata në Kosovë po bëhet e vështirë për serbët, pas vendimit të BQK-së për ndalimin e dinarit serb.

Ndërsa kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e nisi fjalën e tij para OKB-së duke i cilësuar si “të rreme” pretendimet për shkelje të të drejtave të njeriut ndaj serbëve që jetojnë në Kosovë. Ai tha se këto akuza po bëhen nga një shtet që ka qeverisje autoritare.

“Ideja që Kosova po kryen fushatë të spastrimit etnik apo përndjekje është gënjeshtër”, tha Kurti.

Pas fjalës së Kurtit, do të ishte radha e përfaqësuesit të Rusisë që do të merrte fjalën.

Në gjithë retorikën e tij, në një fjalim si të ishte shkruar në zyrën e Vuçiçit, Kosova akuzohej se po kërcënon jetesën e serbëve dhe po përpiqet me çdo kusht, sipas Rusisë, që të shqiptarizojë kulturën ortodokse në veri, ndaj duhet ndaluar patjetër. Sipas përfaqësuesit të Rusisë, Kosova kërkon të bashkohet me Shqipërinë, ndaj edhe po armatoset.

 

edi rama

Lini një Përgjigje