
Kjo është qartazi një praktikë shumë “poshtëruese dhe e tepruar”, që së paku duhet të rishikohet, në mos të braktiset...
Asnjë vendi nuk i pëlqen, që ato që i sheh si punët e tij të brendshme të jenë objekt shqyrtimi nga të tjerët, madje edhe kur ka nënshkruar se është dakord me standardet ndërkombëtare që janë objekt i inspektimit, dhe e ka bërë këtë me shpresën se të njëjtat standarde të larta do të zbatohen për të gjithë.
Marrja përsipër e detyrimeve të tilla është pjesë e të qenit human, dhe shenjë e një shteti të qytetëruar. Për këtë arsye është zhgënjyese, dhe në disa aspekte të veçanta tronditëse, që raporti i sapo publikuar nga inspektorët e komitetit të Këshillit të Evropës për parandalimin e torturës, gjeti kaq shumë fakte shqetësuese nga vizitat e tyre në qendrat e paraburgimit të emigrantëve të paligjshëm në Mbretërinë e Bashkuar dhe në dy burgje gati një vit më parë.
Prej tyre, 3 fakte meritojnë të veçohen dhe të denoncohen fort. I pari ka të bëjë me kohën e pacaktuar të paraburgimit dhe vonesat dhe pasiguritë që sjell kjo praktikë. Nuk është e pazakontë që paraburgimi të zgjasë deri në 1 vit, por në disa raste zgjat shumë më tepër se sa kaq.
Fakti i dytë lidhet me dëmin që një ndalim i tillë i gjatë mund t'i shkaktojë gjendjes mendore të atyre që mbahen atje. Pra po flasim për njerëz, të cilët për shkak të përvojave të tyre të kaluara, mund të jenë tashmë tejet të brishtë nga pikëpamja shëndetësore.
Ndër pasojat negative mund të jetë vetëdëmtimi, madje edhe vetëvrasja. Po ashtu, inspektorët vunë në dukje vështirësitë dhe vonesat që hasin të paraburgosurit në marrjen e ndihmës së specializuar në një rast emergjence të shëndetit mendor.
Dhe i treti lidhet kushtet e vështira që konstatuan inspektorët në shumë nga këto qendra të paraburgimit. Të arrestuarit nuk janë të dënuar për asnjë krim. Teknikisht dhe sipas ligjit, ata nuk janë në burg. Megjithatë kushtet e ashpra të ndalimit të tyre, nuk i dallojnë shumë nga burgimi klasik.
Ngjashmëria mund të jetë edhe më e theksuar kur një i paraburgosur shtrohet në spital. Inspektorët përshkruan rastet e disa grave emigrante të paraburgosura, të lidhura me pranga në shtratin e tyre në spital. Kur dy oficerë e shoqërojnë të paraburgosurin, siç është praktika e zakonshme, do të dukej krejtësisht e panevojshme që i paraburgosuri të lidhej me pranga.
Ndërkohë autoritetet mbrohen duke thënë se përdorimi i prangave nuk është një praktikë standarde. Çdo rast trajtohet më tepër sipas gjykimeve të bëra për atë individ. Dhe natyrisht, kjo krijon kushtet për shumë subjektivizma.
Siç theksohet edhe nga inspektorët, kjo është qartazi një praktikë shumë “poshtëruese dhe e tepruar”, që së paku duhet të rishikohet, në mos të braktiset. Nuk duhet të jetë ngushëllim për askënd, dhe aq më pakt për autoritetet e Mbretërisë së Bashkuar, fakti që shumica e praktikave të papranueshme, në mos mizore, të raportuara nga inspektorët, nuk janë të zbatueshme vetëm për sistemin e paraburgimit.
Në fillim të kësaj jave, u raportua se disa individë që kishin nevojë për t’u kuruar për probleme të shëndetit mendor, u mbajtën në burg për periudha të pacaktuara, për shkak të mungesës së vendeve në spital. Mungesa akute e ofrimit të kujdesit të shëndetit mendor, veçanërisht në raste urgjente, vlen edhe jashtë sistemit të paraburgimit të emigrantëve.
Duhet thënë se edhe inspektorët kanë zbatuar praktika shumë të mira. Pra tabloja nuk është tërësisht e zymtë. Mbetet të shpresohet se nga tani dhe deri në inspektimet e radhës në pranverë, të jenë eleminuar disa nga defektet më të këqija që janë vënë re.
Dhe nëse jo, atëherë publikimi i raportit duhet të nxisë një ndjenjë të re urgjence për të eliminuar praktikat e këqija. Dëshmitë se duhet një ndryshim urgjent janë aty dhe nuk mund të mohohen. Mjerisht, ka arsye të mendohet pse ndryshimi mund të mos ndodhë dhe aq shpejt sa duhet.
Një arsye është praktika më e shpeshte e ndalimit të emigrantëve të paligjshëm. Një tjetër janë zërat që kërkojnë masa më të rrepta për sigurinë, që me siguri do të jetë pasojë e sulmit me Clapham alkali, ku i akuzuari është cilësuar si një ish-azilkërkues.
Dhe një arsye tjetër është presioni për të ulur kostot, i parë tashmë tek përpjekjet për të përdorur parafabrikate tek objektet ushtarake apo anijet-karantinë Bibby Stockholm, në vend të hoteleve, për të vendosur ata që presin vendimet e autoriteteve mbi aplikimet e tyre për azil.
Por për shumë prej tyre, kjo do të nënkuptojë një lëvizje në kushte shumë të ngjashme me burgun, edhe për ata që nuk janë të ndaluar zyrtarisht. Kësisoj, ajo rrezikon që të jetë një lëvizje në drejtim të kundërt me atë të kërkuar në raportin e inspektorëve të Këshillit të Evropës./ Përshtati Pamfleti nga “The Independent”
Lini një Përgjigje