TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet 8 Qershor 2026, 22:34

Protestuesit drejt partisë së re: Do të mobilizohemi të gjithë dhe do të dalim në zgjedhje

Shkruar nga Pamfleti
Protestuesit drejt partisë së re: Do të mobilizohemi të
Protesta

Protesta qytetare që ka hyrë në ditën e nëntë duket se po prodhon jo vetëm mobilizim në rrugë, por edhe ambicie për organizim politik. Studentja dhe aktivistja Laura Kërtalli deklaroi se lëvizja po synon të shndërrohet në një forcë opozitare të re, të pavarur nga partitë ekzistuese.

Në një intervistë për emisionin Off the Record  në A2 CNN, Kërtalli tha se protesta ka njohur rritje të vazhdueshme si në pjesëmarrje ashtu edhe në frymën opozitare, ndërsa sipas saj ka tejkaluar tashmë kauzën fillestare që lidhej me projektin në Zvërnec.

Gjëja më e rëndësishme që ka arritur kjo protestë është se ka rrëzuar propagandën e pushtetit për 80 e kusur mandatet dhe për idenë se mazhoranca përfaqëson shumicën e shqiptarëve. Ne po e shohim çdo ditë që ka mijëra qytetarë të mbledhur, që ekziston një opozitë reale në Shqipëri. Ndoshta ende nuk jemi të organizuar në një forcë të vetme, por dita-ditës kemi parë rritje si në numër, ashtu edhe në frymë. Kjo është një pikë kyçe që mund të konkretizohet në diçka shumë më të madhe”, u shpreh ajo.

Sipas aktivistes, një nga synimet kryesore të lëvizjes është krijimi i një alternative të re politike, larg ndikimit të partive tradicionale.

Si studente, ne po përpiqemi të mobilizohemi dhe të ndërtojmë një forcë opozitare që nuk ndikohet nga partitë politike aktuale. Mendojmë se ka ardhur koha që të rinjtë të marrin përgjegjësi dhe të krijojnë një alternativë të re, sepse partitë ekzistuese kanë dështuar të japin zgjidhje. Kjo protestë ka treguar se ekziston energjia dhe vullneti për të ndërtuar diçka ndryshe nga ajo që kemi parë deri më sot”, tha Kërtalli.

Ajo shtoi se hapi i parë do të jetë organizimi i studentëve dhe diskutimi i formave të përfaqësimit politik që mund të dalin nga kjo lëvizje.

Hapi i parë është organizimi i studentëve dhe diskutimi i ideve tona për të ardhmen. Është një ide ambicioze, por ne besojmë se mund të ndërtojmë një forcë të madhe opozitare. Kemi qenë zëri më i fortë opozitar në këto ditë proteste dhe mendojmë se kjo energji mund të shndërrohet në një lëvizje më të strukturuar. Qëllimi është të krijojmë një alternativë të re, të pavarur nga ndikimet e së shkuarës politike”, deklaroi ajo.

Sipas Kërtallit, objektivi afatgjatë është që kjo lëvizje të shndërrohet në një forcë politike që mund të konkurrojë edhe në zgjedhje.

Objektivi ynë afatgjatë është një forcë me ideale demokratike, e pavarur dhe e pandikuar nga interesat e vjetra politike. Nëse kërkesa jonë për dorëheqjen e Edi Ramës nuk realizohet përmes protestës, kjo nuk do të thotë se do të ndalemi. Përkundrazi, do të vazhdojmë të organizohemi dhe të mobilizohemi edhe më shumë. Pakënaqësia ekziston dhe ne do të vazhdojmë ta përfaqësojmë atë deri në fund”, tha studentja.

Deklaratat vijnë në një moment kur protesta qytetare po shfaq shenja zgjerimi dhe po shoqërohet me thirrje jo vetëm kundër qeverisë, por edhe kundër opozitës tradicionale dhe gjithë klasës politike.

Lini një Përgjigje