TAGS-AT E JAVËS

Politike 8 Maj 2026, 19:01

PD sërish në shesh/ Opozita mban protestën e 8-të kombëtare, kërkohet largimi i Ramës

Shkruar nga Pamfleti
PD sërish në shesh/ Opozita mban protestën e 8-të
Nis grumbullimi i militantëve

Tubimi i opozitës pritet të zhvillohet mes reshjeve të dendura të shiut dhe masave të forta të sigurisë në Tiranë...

Nis për pak minuta protesta e tetë kombëtare e Partisë Demokratike, ndërsa qytetarë dhe mbështetës të opozitës kanë nisur të grumbullohen para Kryeministrisë dhe në selinë qendrore të PD-së.

Tubimi është paralajmëruar të nisë në orën 19:00, por reshjet e dendura të shiut që kanë përfshirë Tiranën po e vështirësojnë zhvillimin e tubimit.

Në terren janë angazhuar rreth 1500 efektivë policie, ndërsa prej orëve të pasdites janë bllokuar disa nga akset kryesore në qendër të kryeqytetit. Vetë kreu i policisë Skënder Hita ka zbritur në terren. 


Policia ka ndaluar qarkullimin dhe parkimin e automjeteve në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, nga zona e “Urës së Dajtit” deri te rruga “Ismail Qemali”, si dhe në disa rrugë të tjera pranë Kryeministrisë.

PD sërish në shesh/ Opozita mban protestën e 8-të

Edhe pse më herët nga selia blu ishte bërë e ditur se protesta nuk do të kishte fjalime politike dhe do të fokusohej më shumë te marshimi dhe format simbolike të protestës, para Kryeministrisë është vendosur një mini-podium.

Mbetet ende e paqartë nëse gjatë tubimit do të ketë fjalime nga drejtuesit e opozitës apo podiumi do të përdoret për elementë të tjerë të organizimit. Ndërkohë kreu Sali Berisha ka shkuar në seli. 

Protesta e sotme vjen pas tubimit të 17 prillit, i cili u shoqërua me tensione të forta dhe përplasje mes protestuesve dhe policisë.

Në protestën e kaluar, fillimisht u mbajtën fjalime nga drejtuesit e opozitës, ndërsa kreu i PD, Sali Berisha, hodhi akuza ndaj qeverisë për manipulim zgjedhor dhe kontroll të votës.

Pas përfundimit të fjalimeve, situata u tensionua kur një grup protestuesish hodhi molotovë, fishekzjarrë dhe mjete të tjera piroteknike në drejtim të godinës së Kryeministrisë.


Policia reagoi menjëherë duke ndërhyrë me gaz lotsjellës, ujë me presion, spraj djegës dhe shkopinj gome për shpërndarjen e protestuesve.

Përplasjet vijuan për disa minuta në bulevard, ndërsa më pas një pjesë e protestuesve u zhvendos drejt zonës së Kuvendit.

Pranë Xhamisë së Namazgjasë u regjistruan tensione të tjera, ku deputetë të opozitës, mes tyre Flamur Noka dhe Bledjon Nallbati, u përplasën me efektivët e policisë në përpjekje për të çarë kordonin e sigurisë.

Forcat e rendit përdorën autobotë me ujë me presion për të ndalur avancimin e protestuesve dhe për të mbajtur të bllokuar perimetrin e sigurisë pranë Kuvendit.

Si pasojë e përplasjeve, disa përfaqësues të opozitës mbetën të lënduar. Luçiano Boçi, Aulon Kalaja dhe Klevis Balliu përfunduan në spital për ndihmë mjekësore, ndërsa Flamur Noka u pa i shtrirë në rrugë duke marrë ndihmën e parë pas efekteve të sprajit djegës.

Tubimi i 17 prillit zgjati afro dy orë dhe u mbyll me një mesazh përmbyllës të Sali Berishës nga selia e Partisë Demokratike.

pd proteste

Lini një Përgjigje