Lideri i “Reform UK” po shndërrohet në faktor politik pas “tërmetit” elektoral në Angli, ndërsa Edi Rama ka hyrë prej kohësh në një përplasje publike me të. Një histori që ngjan me atë të Donald Trump...
Partia nacionaliste “Reform UK”, e drejtuar nga Nigel Farage, po njeh një rritje të fortë në Britaninë e Madhe, duke tronditur skenën politike britanike dhe duke shkaktuar humbje të thella për laburistët e Keir Starmer dhe konservatorët.
Rezultatet e zgjedhjeve lokale në Angli tregojnë një avancim të ndjeshëm të forcës politike të Farage, e cila ka fituar qindra vende në këshillat lokale, ndërsa dy partitë tradicionale kanë pësuar humbje të forta. Mediat britanike e kanë cilësuar rezultatin si një “tërmet politik”, që rikthen në qendër të politikës britanike figurën kontroverse të Farage, arkitektit kryesor të Brexit.
Por ndërsa Farage po fiton terren në Britani, në Shqipëri emri i tij lidhet prej kohësh me përplasjet publike me kryeministrin Edi Rama.
Farage ka sulmuar disa herë Ramën për çështjen e emigracionit dhe kriminalitetit shqiptar në Britani. Në një dalje për “GB Neës”, lideri i “Reform UK” deklaroi se “1 në 50 shqiptarë në Britani ndodhet në burg”, ndërsa kërkoi që Shqipëria “të marrë mbrapsht kriminelët shqiptarë”.
Deklaratat erdhën pasi Rama kritikoi Britaninë post-Brexit dhe politikat e saj për emigracionin, duke thënë se vendi kishte hyrë në “një vend shumë të errët” dhe po kërkonte vende për të “braktisur emigrantët”.
Kryeministri shqiptar iu përgjigj Farage duke e quajtur “marrëzi” pretendimin për shqiptarët në burgje dhe e akuzoi politikën britanike se kishte përdorur emigracionin shqiptar si propagandë për Brexit.
Por rritja e Farage në Britani po rikthen edhe debatin mbi mënyrën sesi Edi Rama pozicionohet shpesh ndaj figurave politike ndërkombëtare që më pas fitojnë pushtet ose ndikim.
Një situatë e ngjashme ndodhi edhe me Donald Trump. Gjatë kandidimit të tij të parë për president në SHBA, Rama e sulmoi publikisht Trump, duke mbajtur qëndrime të forta kundër tij. Por pasi Trump fitoi zgjedhjet dhe mori drejtimin e Shtëpisë së Bardhë, kryeministri shqiptar ndryshoi krejtësisht tonin, duke shmangur përplasjet dhe duke u treguar i kujdesshëm në raport me administratën amerikane.
Kritikët e Ramës thonë se kryeministri “i flet goja para mendjes”, duke hyrë shpesh në beteja politike ndërkombëtare pa llogaritur zhvillimet e mëvonshme. Sipas tyre, historia me Trump mund të përsëritet edhe me Farage, nëse lideri i “Reform UK” vazhdon ngjitjen politike dhe shndërrohet në faktor vendimtar në qeverisjen britanike.
Ndërkohë, rezultati i zgjedhjeve lokale po shihet si sinjal alarmi për qeverinë e Keir Starmer, ndërsa Nigel Farage po rikthehet fuqishëm në qendër të politikës britanike, duke shfrytëzuar pakënaqësitë për emigracionin, ekonominë dhe pasojat e Brexit. /Pamfleti
Rama ka të drejte. Ky tip legeni mashtrues e grabites po mori pushtet e ke then Britanine ne nazizem. Është i vetmi mik I atij matane oceanit.
Kur vijne ne pushtet nderrojne te gjithe. Rama te pakten e nis sherrin i pari. Haaa
Rama eshte fluger...nga fryn era. Po erdhi ne pushtet Farage, Rama e dredh, shkon i ben temena, leshime, kompromise ne dem te popullit shqiptar dhe ai (Fragne) nuk do kete arsye te mos ta ftoje ne "bordin e tij te paqes"... Ketu e ndihmon perseri ai Toni Blere me parate e shqiptafeve. Shqiperia vazhdon te jete placke tregu, shqiptaret "skllever" qe vetem do shkojne drejt varferise apsolute.