
Kryeministri Edi Rama deklaroi këtë të premte në Durrës se dy problemet më të mëdha me të cilat përballet sot Shqipëria janë kapitali njerëzor dhe niveli i dobët i digjitalizimit në pushtetin vendor.
Në ceremoninë e nisjes së programit EU4Municipalities II, Rama tha se projekti i financuar nga Bashkimi Europian nuk lidhet vetëm me mbështetje financiare për bashkitë, por me rritjen e kapaciteteve administrative.
“Përmes tij, institucionet të rrisin kapacitetet njerëzore, që janë edhe problemi ynë më i mprehtë i kësaj kohe dhe i kohëve që vijnë, në rast se nuk fokusohemi me të gjithë forcën sot te adresimi i tij”, deklaroi Rama.
Sipas kryeministrit, Shqipëria përballet me një diferencë të madhe mes administratës qendrore dhe asaj vendore në aspektin e teknologjisë dhe shërbimeve online.
“Kemi një diferencë të papranueshme dhe të pajustifikueshme mes peshës që ka digjitalizimi në shërbimet qendrore dhe peshës që ka në shërbimet vendore”, tha ai.
Teksa foli për digjitalizimin, Rama bëri edhe një koment për Gjermaninë.
“Sorry to say this (Më falni që ju them), partnerët gjermanë në digjitalizim janë mbrapa nesh. Akoma punojnë me fax, yeah, yeah. Përtej shakasë, që në këtë rast është gjysma e së vërtetës, do gjejmë mënyrën për ta adresuar këtë problem”, deklaroi kryeministri.
Në fund të fjalës, Rama u kërkoi drejtuesve vendorë të përdorin programin për të forcuar administratat lokale.
“Përgatitni akoma më mirë bërthamat e vogla nëpër bashki”, u shpreh ai.
Më herët, ambasadori i BE-së në Shqipëri, Silvio Gonzato, tha se projekti i vendos qytetarët në qendër të procesit të integrimit europian.
“Më duket si deja vu se ishim në Durrës edhe javën e shkuar, ku u çel Muzeu Arkeologjik. Javën e shkuar u thashë se ai ishte një ndër programet e preferuara, ndërsa sot u them se edhe ky projekt për bashkitë më pëlqen, sepse i vendos qytetarët në qendër të rrugëtimit të Shqipërisë drejt BE-së”, deklaroi Gonzato.
"Dy problemet me te mpreht qe ka sot Shqipëria...:? Po, Ramuti dhe Salehu jane dy problemet me te mprehta qe ka sot Shqipëria. Dhe keta duhet te largohen nga kombi shqiptar para se shqiptarve tu shkoj thika Ramuto-Saleh ne asht!