Ka nisur prezantimi zyrtar i programit EU4Municipalities II, iniciativa e Bashkimit Europian që synon forcimin e pushtetit vendor dhe mbështetjen e procesit të integrimit të Shqipërisë në BE. I pranishëm në aktivitet ishte edhe kryeministri Edi Rama, i cili theksoi rëndësinë e rritjes së kapaciteteve të bashkive dhe përshtatjes së tyre me standardet europiane. Programi parashikon investime konkrete në nivel lokal, modernizim të shërbimeve dhe mbështetje për administratën vendore.
“Nuk mishëron thjesht mbështetje financiare por përbën investim strategjik të BE për të nxitur rritjen e kapaciteteve të bashkive në horizontin e anëtarësimit të Shqipërisë në BE. Bashkitë janë problemi ynë më i mprehtë i kësaj kohe nëse nuk fokusohemi sot tek adresimi. BE dhe anëtarësimi në familjen europiane janë bekim për Shqipërinë dhe sfidë në nivelin vendor pasi konsolidimi i nivelit të qeverisjes vendore është pjesë e pandarë dhe e patjetërsueshme e mënyrës së funksionimit dhe mirëfunksionimin e marrëdhënieve mes BE dhe një vendi anëtar”, tha Rama.
Ambasadori i Bashkimit Europian në Tiranë, Silvio Gonzato, u ndal te ndikimi që pritet të ketë programi në nivel lokal, duke theksuar rëndësinë e bashkive në procesin e integrimit europian.
“Ky program sjell përfitime të prekshme në nivel vendor sepse politikat shndërrohen në përmirësime të vërteta. Nuk është sekret që 70% e direktivave, rregulloreve të BE do të vihen në zbatim në bashki. Prandaj janë kaq të rëndësishme bashkitë. Roli juaj dhe partneriteti ynë është shumë i rëndësishëm. Rrugëtimi europian i Shqipërisë duhet të përqafohet dhe përjetohet në çdo bashki të Shqipërisë. Programi synon që qeveria vendore të mos jetë thjesht vëzhgues në proces, por aktiv në të ardhmen europiane”, tha ambasadori.
Lini një Përgjigje