TAGS-AT E JAVËS

Politike19 Shkurt 2026, 16:35

Meta në GJKKO: Unë i përkas vetëm organizatës së 2 marsit!

Shkruar nga Pamfleti
Meta në GJKKO: Unë i përkas vetëm organizatës së 2
Ilir Meta më 2 mars

Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, ka dhënë këtë të enjte argumentet e tij në seancën paraprake në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, duke kundërshtuar akuzat ndaj tij dhe duke i cilësuar ato si të pabazuara.

Në parashtresën para trupës gjykuese në GJKKO, Meta deklaroi se dosja ndaj tij është “e bazuar vetëm mbi gënjeshtra dhe falsifikime, e përgatitur prej gati 2 dekadash nga sekti sorosist, që ka kapur në mënyrë antikushtetuese Reformën në Drejtësi”.

Sipas tij, kjo situatë reflektohet edhe në renditjen ndërkombëtare të vendit. “Kjo është arsyeja se përse Shqipëria është përkeqësuar me 11 vende në renditjen botërore nga Transparency International gjatë vitit të fundit. Sepse Kreu i Organizatës Kriminale, jo vetëm ka garantuar paprekshmërinë e tij përmes kapjes së sistemit gjyqësor, por edhe e ka përdorur këtë të fundit si armë politike kundër kundërshtarëve të tij politikë”, u shpreh Meta në nisje të fjalës së tij.

Ai e cilësoi çështjen ndaj tij si një rast me pasoja më të gjera juridike, duke deklaruar: “Rasti Meta është një rast që do të hyjë edhe në jurisprudencën europiane, si një ndër më skandalozët, ku standardet e rrëmbimit tim më 21 tetor 2024 janë edhe vetë standardet e hetimit, por edhe të paraburgimit për 16 muaj.”

Gjatë fjalës së tij, Meta ironizoi prokurorët e SPAK-ut, duke folur për “imagjinatën e tyre kafkiane” dhe duke shtuar se në vitin 2026 nenet e Kodit Penal për agjitacion dhe organizatë kundër-revolucionare nuk ekzistojnë më.

Në përmbyllje, ai deklaroi: “Të vetmes organizatë, që unë i përkas, është ajo e 2 Marsit 2020, një organizatë patriotike, mbrojtëse e paepur e interesit kombëtar dhe e vendosur për të bërë çdo sakrificë, që i rikthen sovranitetin popullit shqiptar.”

1 Komente

  1. T
    Tony

    Ti o nevoje i perket vetem uturakut. Mirë që të futen ne biruce se na turperove male e kodra me bemat gjimnastokore e trimerore. Rri urte atje ne uturak ku je se është dhe dimer i ftohte që të rrish ngrohte.

    Lini një Përgjigje