TAGS-AT E JAVËS

Politike19 Shkurt 2026, 15:44

Korreshi propozoi ‘amendament’ për ofendimet në Kuvend, Manja: Ke nevojë të trajtohesh te Akademia e Barinjve!

Shkruar nga Pamfleti
Korreshi propozoi ‘amendament’ për ofendimet  në Kuvend,
Saimir Korreshi dhe Ulsi Manja

Seanca plenare u shoqërua me tone ironike mes deputetit Saimir Korreshi dhe ministrit të Drejtësisë, Ulsi Manja, gjatë diskutimeve për një projektligj.

Korreshi paraqiti një propozim që e quajti amendament, duke ironizuar mënyrën e komunikimit në politikë dhe atë që ai e cilësoi si standard europian. Ai sugjeroi që, me hyrjen në fuqi të ligjit, në rast se dikush dëshiron të ofendojë një tjetër duke përmendur nënën, ta bëjë këtë me një shprehje në gjuhë të huaj, me qëllim që, sipas tij, të ruhet një formë etike në përputhje me zhvillimet e fundit gjuhësore.

“Do ta mbyll me një amendament, nuk e di zoti Ulsi nëse do të ma aprovoni, duke përfaqësuar sjelljen dhe zakonet sipas standardeve Europiane dhe duke marrë shkas nga zhvillimet e fundit linguistike, propozoj që nga hyrja në fuqi e këtij ligji, nëse doni të shani ndonjërin nga nëna mund t’i thoni ‘ratione mate rahe’. Dhe kështu do të bëheni me etikë europiane”, tha mes të tjerash Korreshi.

Pas kësaj deklarate, Manja iu përgjigj duke i thënë se ka nevojë për trajnim në Akademinë e Barinjve. Ministri argumentoi se deputeti i opozitës paraqet një tablo negative për vendin, ndërsa sipas tij realiteti është ndryshe dhe qytetarët nuk e mbështesin më Partinë Demokratike për këtë arsye.

“Sot m’u përforcua ideja tamam se e paska pasur megjithëmend në Komisionin e Ligjeve kur përmendi Akademinë e Barinjve. Ky e thotë me shaka, por unë e kam megjithëmend që të zërë radhën te akademia e barinjve, se seriozisht ke nevojë për trajnim. Sepse ka një ironi therëse në atë që ai thotë, ky përpiqet që ta pikturojë Shqipërinë me të zezë edhe ta çojë në fund të botës, kur qytetarët shqiptarë shkojnë përpara dhe vijnë këtej nga ne. Mos hiq dorë nga akademia e barinjve Saimir, ma beso këtë gjë. Uroj që të mos ndërpriten valët përtej Rrogozhinës, se po na mbeti Saimiri pa valë pastaj në telefon, vaj hallin se çfarë pikture do na sjellë të enjten tjetër këtu”, tha Manja.

Manja shtoi se Korreshi e kishte përmendur më parë këtë akademi në Komisionin e Ligjeve dhe se, sipas tij, propozimi për trajnim ishte serioz. Ai e akuzoi deputetin se e përshkruan situatën në Shqipëri në mënyrë të njëanshme.

Në replikë, Korreshi deklaroi se do ta pranonte të bëhej bari, por shtoi se në vend mungojnë delet, duke e përdorur këtë si argument për të kritikuar qeverinë për menaxhimin e sektorit bujqësor.

Shkëmbimi i batutave u zhvillua në prani të deputetëve të tjerë dhe u shoqërua me reagime në sallë.

saimir korreshi ulsi manja kuvend

Lini një Përgjigje