TAGS-AT E JAVËS

Politike19 Shkurt 2026, 14:13

Tabaku akuza Vengut në Kuvend: Duhej të ishit nën hetim, keni “shkëlqyer” në Portin e Durrësit

Shkruar nga Pamfleti
Tabaku akuza Vengut në Kuvend: Duhej të ishit nën hetim, keni
Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku

Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka hedhur akuza ndaj ministrit të Mbrojtjes, Pirro Vengu, gjatë fjalës së saj në seancë plenare, duke vënë në pikëpyetje mënyrën e ushtrimit të detyrës dhe qëndrimet e tij për procesin e integrimit evropian.

Nga foltorja e Kuvendit, Tabaku iu referua angazhimit të mëparshëm të Vengut në Portin e Durrësit, duke pretenduar se gjatë asaj periudhe kanë ekzistuar probleme serioze, përfshirë kontrabandë nafte dhe lidhje me grupe të krimit të organizuar nga Amerika Latine.

Sipas saj, këto zhvillime kanë ndikuar negativisht në procesin e integrimit të vendit në Bashkimin Evropian dhe kanë rritur vëmendjen e Shteteve të Bashkuara ndaj luftës kundër krimit të organizuar në Shqipëri.

“Zoti ministër, unë ju mbaj mend për shumë gjëra, por shkëlqeni te Porti i Durrësit”, deklaroi Tabaku me ironi, duke shtuar se një ministër i ri në politikë nuk duhet ta ndërtojë karrierën duke, sipas saj, “shkelur” arritjet e të tjerëve.

Deputetja demokrate i kërkoi ministrit të flasë me përgjegjësi dhe t’i japë peshën e duhur institucionale detyrës që mban, duke e akuzuar se sulmon opozitën sa herë që ajo ngre shqetësime për atë që e cilëson si bllokim të procesit të integrimit nga qeveria.

Në vijim, Tabaku deklaroi se ministri dhe qeveria duhet të ishin nën hetim, duke i quajtur ata “qeveria e të pandehurve”. Ajo theksoi se, edhe nëse largohet nga politika, ka rezultate për të cilat, sipas saj, mund të kthejë kokën pas, ndërsa sfidoi Vengun duke e pyetur se çfarë do të mbetet pas përfundimit të mandatit të tij.

 

Lini një Përgjigje