TAGS-AT E JAVËS

Politike 4 Maj 2024, 13:01

Meta-Berisha, si bosët e Cosa Nostra-s dhe Camorra-s!

Shkruar nga Pamfleti

Meta-Berisha, si bosët e Cosa Nostra-s dhe Camorra-s!

Drejtuesi i Nismës Thurje, Endri Shabani ka komentuar situatën politike në vend. Gjatë një interviste për gazetën “SOT”, zoti Shabani theksoi se marrëdhënia e Metës dhe Berishës është si e bosëve të Cosa Nostras dhe Camorras, ndërkohë që lajthitja e ish-presidentit vjen pikërisht nga avancimi i punës së Prokurorisë së Posaçme (SPAK) sa i takon disa dosjeve që po heton, ku dyshohet se është përfshirë kreu i Partisë së Lirisë. Po ashtu, politikani Shabani tregon si po çmontohet rrjeti mafioz që ka mbërthyer Shqipërinë, ku sipas tij, drejt burgut pritet të shkojnë oligarkë, pronarë mediash dhe politikanë të rëndësishëm. 

-Zoti Shabani, Ilir Meta prej mëse dy vitesh është në hetim pavarësisht se nuk ka një hetim konkret me emër ndaj tij, ka kallëzim ndaj z.Meta dhe SPAK nuk a bërë asnjë lloj reagimi gjatë kësaj kohe,  si e keni lexuar si një strategji të SPAK-ut për të mbledhur sa më shumë fakte dhe prova apo vërtetë nuk ka diçka ta fajësoj dhe bëj përgjegjës zotin Meta?

Unë mendoj që kështu duhet të funksionojë drejtësia. Është absurde që ne marrim vesh në kohë reale në televizor se si ecën hetimi. Kjo rrjedhje e informacionit që jemi mësuar të shohim dëmton hetimet dhe pengon drejtësinë. Kështu që fakti që SPAK ka arritur që për një kohë të gjatë të hetojë pa u dekonspiruar informacioni, tregon që SPAK po krijon një standard të ri të hetimit në Shqipëri. Ka kaq shumë kallëzime nga juristë, avokatë dhe në SPAK por ende nuk ka një gjë konkrete, kjo tregon që SPAK nuk ka arritur dot që të faktojë një kallëzim ndaj Metës... Unë mendoj që hetimet për familjen Meta duhet të jenë në fund të tyre, dhe këtë e them ngaqë shoh se si e ka humbur toruan Ilir Meta. Kjo lajthitje e ish-presidentit mendoj se vjen pikërisht nga avancimi i punës së SPAK-ut.

-Keni një koment mbi sulmet e Metës ndaj SPAK?

Në një farë mënyre nuk ka asgjë të re në këto sulme. Për tre dekada Meta Berisha dhe Rama kanë qenë të paprekshëm, dhe sa herë që ndonjë prokuror tentonte ta nxirrte këmbën nga rrethi ata i janë hakërryer me libër shtëpie. Berisha dhe Meta, duke qenë më primitivë, këtë sulm e bëjnë në vetë të parë, por as Rama nuk mbetet mbrapa, vetëm se ai i sulmon në mënyrë më të sofistikuar, përmes portaleve, analistëve dhe aktorëve të tretë.  E megjithatë ka diçka trishtuese kur shikon se sa banal është një njeri si Ilir Meta, të cilin ky popull e ka bërë kryeministër, president, kryetar kuvendi, ministër të jashtëm, deputet dhe shumë funksione të tjera publike. Kur dëgjoj gjuhën banale të Metës, mendoj se kush e ka qeverisur këtë vend.

-Si e lexoni veprimin e Metës, i cili thotë se duke luftuar nepotizmin, heq bashkëshorten e tij, Monika Kryemadhin nga Partia e Lirisë? Përse i intereson Metës largimi i Kryemadhit...

Nuk e kam ndjekur dhe nuk më intereson fare telenovela e tyre familjare. Unë nuk i hyj njerëzve në marrëdhëniet e tyre familjare kështu që nuk ndihem mirë të komentoj sherret apo lojërat mes burrit dhe gruas.

-Si e shihni marrëdhënien mes Berishës dhe zotit Meta?

Si marrëdhënia e bosëve të Cosa Nostras dhe Camorras. Kapobandat e dy grupeve mafioze, që herë luftojnë, herë bashkëpunojnë, por në fund të ditës qëllimin e kanë që të fuqizojnë bandat e veta ndërkohë që i bëjnë pirg viktimat e njerëzve të pafajshëm.

-Prokuroria e Posaçme (SPAK) po heton disa doje “përvëluese”. A besoni se ata që deri më dje bënin pjesë tek “të paprekshmit” do të japin llogari para drejtësisë sa i takon aferave korruptive dhe kriminale ku dyshohet se janë përfshirë?

Jam i bindur që koha e pandëshkueshmërisë ka mbaruar. Ata që nuk e kuptojnë këtë kanë mbyllur sytë dhe shpresojnë që janë në ëndërr. Gjithashtu edhe qeveria ‘Rama’ ka goxha punë me drejtësinë, pasi ministra, zv/ministra, deputetët e ish-deputetët apo kryetar bashkie e ish-kryetar bashkie janë duke u hetuara nga SPAK apo disa janë kandidatë për të qenë subjekt i Prokurorisë së Posaçme. A është normale kjo situatë? Nëse do ishim në një vend tjetër qeveria do të ishte rrëzuar... Nëse do ishim në një vend normal Rama do ishte rrëzuar me votë prej shumë kohësh. Por këtu jemi përpara një rrjeti mafioz që e kanë mbërthyer Shqipërinë në çdo cep. SPAK po e çmonton këtë netëork, duke arrestuar grupet mafioze, duke hetuar oligarkë dhe pronarë mediash dhe duke çuar pas hekurave ata politikanë të pushtetshëm që as në makthet e tyre më të mëdha nuk kanë imagjinuar që do japin llogari për atë që i kanë marrë shqiptarëve dhe atë që i kanë bërë Shqipërisë. /Sot

Lini një Përgjigje