TAGS-AT E JAVËS

Politike 7 Maj 2026, 11:11

Kush do ta zëvendësojë Ramën në krye të PS? Sekretari i Përgjithshëm tregon planin B të socialistëve

Shkruar nga Pamfleti
Kush do ta zëvendësojë Ramën në krye të PS?
Edi Rama me grupin e PS

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste, Blendi Klosi, thotë se PS mbetet një forcë politike me “frymë fituese” dhe se nën drejtimin e kryeministrit Edi Rama synon të fitojë edhe zgjedhjet e vitit 2029.

I ftuar në emisionin “Koha Jonë-Debat”, Klosi iu përgjigj pyetjeve të gazetarit Nikoll Lesi lidhur me të ardhmen e Partisë Socialiste dhe mundësinë e një lidershipi pa Edi Ramën.

Lesi ngriti pyetjen nëse PS do të kishte arritur katër mandate qeverisëse pa Ramën në krye të saj.

“Kemi një frymë fituese brenda partisë, jemi të gatshëm që së bashku me Edi Ramën të fitojmë padyshim edhe në 2029. Edhe pyetja ‘po të mos jetë Edi Rama’ nuk shkon, sepse realisht në këtë formacion që jemi, këtë strukturë që kemi, me këtë frymë dhe organizim, me këtë lidership, me Edi Ramën ne do të fitojmë të gjitha garat që do të na vijnë në vazhdim”, u shpreh Klosi.

Gjatë debatit, Nikoll Lesi insistoi duke pyetur nëse PS ka një “plan B” për rastin kur Rama të largohet nga drejtimi i partisë.

“Kini zëvendësuesin gati?”, pyeti Lesi.

Në përgjigje, Klosi tha se nuk e sheh si një mundësi reale largimin e Ramës nga politika.

“Unë punoj me Edi Ramën, por ju e njihni më mirë dhe kjo që thoni ka shanse zero. Edi Rama do të vazhdojë të punojë për Shqipërinë”, deklaroi ai.

Më tej, Lesi paralajmëroi se “një ditë Rama do të largohet”, duke bërë krahasime me situatën në Partinë Demokratike dhe ish-kryetarin Sali Berisha.

Klosi theksoi se statuti i PS-së parashikon largimin e kryetarit në rast humbjeje zgjedhore, por shtoi se socialistët nuk po mendojnë për alternativa të tjera në drejtim.

“E kemi thënë, e kemi edhe në statut, se në rast që humbim zgjedhjet, kryetari largohet. Nuk mendoj që PS ka plan B, sepse ne kemi një mekanizëm fitues dhe është aty për të fituar”, përfundoi ai.

 

kush do ta zëvëndësojë ramën ps kryetari

Lini një Përgjigje