Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka hedhur akuza të forta ndaj mazhorancës gjatë nisjes së seancës plenare, duke deklaruar se opozita po përjashtohet nga proceset kyçe që lidhen me integrimin europian të Shqipërisë.
Gjatë fjalës së tij, Bardhi iu referua mbledhjes së paralajmëruar të Këshillit Kombëtar të Integrimit, duke kritikuar mënyrën se si është hartuar axhenda dhe mungesën e përfaqësimit të opozitës.
“Meqë jemi te integrimi dua të sjell në vëmendje që mazhoranca që po bën veprime për përjashtimin e opozitës nga procesi, ka vijuar njëlloj edhe në këto ditë, edhe kur raporti bën thirrje për bashkëpunim”, u shpreh ai.
Ai tha se, ndonëse opozita është pjesë e forumit, në praktikë nuk i është dhënë hapësirë në diskutimet e planifikuara.
“Nesër keni thirrur një mbledhje të Këshillit Kombëtar të Integrimit. Dua të informoj këta që ngrihen në foltore dhe kërkojnë bashkëpunimin e opozitës, se i vetmi forum ku ne jemi të përfaqësuar, na vjen një axhendë që nis me Taulant Ballën dhe mbyllet me 10 Taulant Balla të PS. Në axhendë nuk ka asnjë përfaqësues të opozitës”, shtoi Bardhi.
Deklaratat e tij vijnë në një kohë kur integrimi europian dhe bashkëpunimi politik mes palëve mbetet një nga temat kryesore të debatit në vend.
Lini një Përgjigje