TAGS-AT E JAVËS

Politike 6 Maj 2026, 20:37

Ndryshime në qeveri, emërohet zv.ministrja e re e Bujqësisë; Blerta Rama largohet nga Ekonomia

Shkruar nga Pamfleti
Ndryshime në qeveri, emërohet zv.ministrja e re e Bujqësisë;
Kryeministria

Ditën e sotme kanë bërë ndryshime në kabinetit qeveritar, në nivel zëvendësministrash, konkretisht në Ministrinë e Bujqësisë dhe Ekonomisë. 

Tana Kika është emëruar zëvendësministre e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural. Emërimi i saj vjen në një moment kur sektori i bujqësisë mbetet një nga prioritetet kryesore të qeverisë, veçanërisht në drejtim të zhvillimit rural, mbështetjes së fermerëve dhe rritjes së investimeve në këtë sektor.

Ndërkohë, në Ministrinë e Ekonomisë dhe Inovacionit është vendosur lirimi nga detyra i Blerta Ramës, e cila mbante postin e zëvendësministres. Deri tani nuk janë bërë publike arsyet e këtij ndryshimi apo nëse pritet një emërim i ri në këtë pozicion.

Vendime në sektorin e shëndetësisë
Një pjesë e rëndësishme e mbledhjes iu kushtua sektorit farmaceutik dhe skemës së rimbursimit të barnave. Qeveria miratoi listën I të barnave të rimbursueshme që tregtohen në farmacitë spitalore, si edhe listën II të barnave që mbulohen nga Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor.

Gjithashtu, u përcaktua masa e mbulimit të çmimeve të barnave të rimbursueshme, e cila varion nga 50% deri në 100%, sipas klasifikimit terapeutik dhe kategorive përkatëse.

Në vendim janë përcaktuar edhe marzhet e tregtimit për barnat e rimbursueshme, me 8% për tregtimin me shumicë dhe 24% për atë me pakicë. Për disa barna të veçanta të listave I dhe II janë miratuar edhe marzhe të diferencuara.

Shfuqizohet vendimi për ish-të dënuarit politikë

Kabineti qeveritar ka vendosur edhe shfuqizimin e vendimit “Për miratimin e afateve dhe të skemës së shpërndarjes së fondeve të dëmshpërblimit për ish-të dënuarit politikë të regjimit komunist”.

Për zbatimin e këtij vendimi janë ngarkuar Ministria e Financave dhe Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale.

Platformë e re për raportimin financiar
Një tjetër vendim i rëndësishëm lidhet me krijimin e bazës shtetërore të të dhënave të Platformës Elektronike të Raportimit Financiar (PERF), e cila do të administrohet nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.

Qeveria argumenton se kjo platformë synon rritjen e transparencës dhe monitorimit të raportimeve financiare.

Vendime për prona shtetërore dhe investime

Në mbledhje janë miratuar edhe disa vendime që lidhen me administrimin dhe transferimin e pronave shtetërore.

Një pjesë e inventarit të pronave shtetërore i kalon në administrim Ministrisë së Turizmit, Kulturës dhe Sportit për nevojat e Qendrës Kombëtare të Kinematografisë.

Ndërkohë, disa prona shtetërore janë transferuar në pronësi të “Korporatës së Investimeve Shqiptare” për realizimin e projekteve “Qendra e Shërbimeve Publike Palasë” dhe “Copëzat”.

Po ashtu, Bashkisë Durrës i kalojnë në pronësi dy pasuri për zgjerimin e varrezave publike dhe realizimin e funksioneve të shërbimit funeral.

Vendime për infrastrukturën dhe teknologjinë
Qeveria ka miratuar metodologjinë për vlerësimin e profilit të rrezikut të furnitorëve dhe ofruesve të pajisjeve të rrjetit 5G, një vendim që lidhet me sigurinë teknologjike dhe standardet e rrjeteve të komunikimit.

Gjithashtu, është vendosur shpronësimi për interes publik i pronarëve të pasurive që preken nga projekti “Ndërtim rruga Kashar-Nyja Vaqarr”, në fazat I dhe II të tij.

Paketa e Maleve

Në kuadër të politikave për zhvillimin rural dhe mbështetjen e zonave të thella, qeveria shpalli disa zona në bashkitë Delvinë, Konispol dhe Pogradec si “Zona me përparësi zhvillimin e ekonomisë malore”.

Këto zona pritet të përfitojnë mbështetje dhe politika specifike për zhvillimin ekonomik dhe nxitjen e investimeve lokale.

 

 

ndryshime në qeveri

Lini një Përgjigje