Ish-kandidati për Bashkinë e Kuçovës, Lefter Maliqi, i ka bërë thirrje Komisionit Qendror të Zgjedhjeve që të rifillojë procedurën për heqjen e mandatit të kryebashkiakut të Kuçovës, Kreshnik Hajdari.
Sipas Maliqit, Gjykata e Lartë është shprehur qartë lidhur me këtë çështje, duke lënë në fuqi vendimin e Gjykatës Administrative dhe duke ia rikthyer çështjen KQZ-së për shqyrtim të mëtejshëm në kuadër të ligjit të dekriminalizimit.
Nga ambientet e KQZ-së, Maliqi deklaroi se beteja e tij ligjore dhe morale për këtë çështje ka zgjatur prej tre vitesh dhe akuzoi institucionet për zvarritje të procedurave.
“Jam në KQZ. Si asnjëherë më parë, u bë 3 vjet në betejën ligjore dhe morale. Këtu keni vendimin e Gjykatës së Lartë të 4 shkurtit, dhe këtu ke kërkesën për vijimin me urgjencë të procedurës së pezulluar për mandatin e Kreshnik Hajdarit, kryebashkiak i Kuçovës, i dënuar nga SPAK me 9 muaj burg e 150 orë punë dhe nën hetim. Më vjen keq, të gjitha mediat e dhanë vendimin e Kolegjit të Gjykatës së Lartë që la në fuqi vendimin e Administratives, për të t’ia rikthyer KQZ për të marrë një vendim me urgjencë për largimin nga detyra në bazë të ligjit të dekriminalizimit, të kryebashkiakut në detyrë, Hjadarit të famshëm, në mandatin e grabitur. Provat u shkatërruan nga vendi i krimit, ku u ndërruan 6 kuti. Edhe pse ishin pamjet filmike.
KQZ nesër me urgjencë mbledhka në orën 1 një mbledhje të përshpejtuar një çështje tjetër, ndërkohë që për këtë çështje vazhdon zvarritjen. Unë kërkoj të fitoj moralisht, dhe e kam fituar betejën, pasi ligjërisht do ju kthej fitoren e merituar në 2027-ën qytetarëve të Kuçovës. Ai duhej të ishte shkarkuar. S’po kërkoj gjë tjetër, por dua të zbatohet ligji.
Ne kërkojmë të shkarkohet Hajdari i famshëm i oligarkëve dhe i qeveritarëve. Është në karrige me mandat të grabitur. Jo vetëm për vjedhje të votave, por është i dënuar. E ka fshehur dënimin. Ai duhej të ishte shkarkuar me kohë nga KQZ dhe nga Këshilli i Ministrave. Unë kam fatin e madh që e kam mbiemrin “Maliq” dhe po bëj Maliqin, se s’dihet se një ditë ligji me maliqin bëhen një. Ai duhej të vejë në pranga. Qyteti është lënë në mesjetë”, tha Maliqi.
Lini një Përgjigje