TAGS-AT E JAVËS

Politike12 Mars 2026, 12:39

Imuniteti i Ballukut, Tabaku: Kuvendi u përdor për të mbrojtur korrupsionin

Shkruar nga Pamfleti
Imuniteti i Ballukut, Tabaku: Kuvendi u përdor për të mbrojtur
Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku

Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka reaguar nga salla e Kuvendit menjëherë pas votimit për çështjen e imunitetit të deputetes Belinda Balluku, duke akuzuar mazhorancën se Parlamenti është përdorur për vite me radhë për të mbrojtur interesa të ngushta dhe për të krijuar një sistem të padrejtë në dëm të qytetarëve.

Përmes një videoje të publikuar në rrjetet sociale, Tabaku deklaroi se gjatë 14 viteve të fundit Kuvendi është kthyer, sipas saj, në një “noter” të vendimeve që kanë favorizuar grupe të caktuara ekonomike. Ajo tha se përmes ligjeve dhe vendimeve parlamentare janë miratuar favore fiskale dhe janë dhënë koncesione, si edhe projekte që lidhen me porte dhe aeroporte.

Sipas deputetes demokrate, kjo mënyrë qeverisjeje ka ndikuar negativisht në ekonominë e vendit dhe ka nxitur emigrimin, pasi shumë të rinj nuk shohin më mundësi apo meritokraci në Shqipëri.

Tabaku theksoi gjithashtu se votimi i fundit në Kuvend tregon, sipas saj, se mazhoranca po përdor votat për të mbrojtur korrupsionin dhe për t’i dhënë mburojë politike abuzimeve me pushtetin.

Në reagimin e saj, ajo paralajmëroi se Shqipëria ndodhet në një moment të rëndësishëm për të ardhmen demokratike dhe për rrugën europiane të vendit. Sipas Tabakut, vendi është në një udhëkryq ku po vihet në provë funksionimi i demokracisë dhe balanca mes pushteteve.

Në përfundim, deputetja e PD theksoi se është e nevojshme të luftohet ky sistem, i cili sipas saj po dëmton ekonominë dhe po dobëson demokracinë shqiptare.

Lini një Përgjigje