Ambasada e Gjermanisë në Tiranë reagoi pas vendimit të Kuvendit të Shqipërisë për të rrëzuar kërkesën e SPAK për heqjen e imunitetit të deputetes socialiste Belinda Balluku.
Në një deklaratë zyrtare, ambasada thekson rëndësinë e ndjekjes penale të rasteve të korrupsionit në nivele të larta si pjesë e procesit të integrimit europian të Shqipërisë.
"Gjermania mbështet procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian në përputhje me dëshirën e shqiptarëve. Kusht i domosdoshëm për të bërë progres në këtë proces të bazuar në merita është ndjekja penale me efektivitet e korrupsionit edhe në raste të rangut të lartë. Pritshmëria jonë e qartë është që edhe në këto raste ndjekja penale përmes drejtësisë të mund të realizohet shpejt dhe pa pengesa. Prej politikës shqiptare vazhdon të kërkohet ende që ta garantojë këtë proces.", njofton Ambasada Gjermane Tiranë thuhet në reagimin e Ambasadës Gjermane në Tiranë.
Reagimi vjen pasi Kuvendi i Shqipërisë votoi kundër heqjes së imunitetit të deputetes së Partisë Socialiste, Belinda Balluku, duke rrëzuar kërkesën e Prokurorisë së Posaçme (SPAK).
Kërkesa mori 47 vota pro, asnjë abstenim dhe 82 vota kundër.
Gjatë seancës parlamentare pati tensione, ndërsa deputetët e opozitës protestuan duke bllokuar foltoren e Kuvendit. Në të njëjtën kohë, deputetët socialistë vijuan me votimin e projektligjeve të rendit të ditës me procedurë të përshpejtuar dhe pa diskutime.
Në total, 82 votat kundër raportit përfshinë edhe votat e tre deputetëve të Partisë Social Demokrate. Në seancë munguan katër deputetë socialistë; Fatmir Xhafaj, Elisa Spiropali, Blendi Gonxhja dhe vetë Belinda Balluku.
Relatori i Partisë Socialiste në Këshillin e Mandateve, Ulsi Manja, argumentoi në Kuvend vendimin për të mos pranuar kërkesën e SPAK.
“Kjo është kërkesa e 7 e organit të akuzës që vjen në Kuvend për dhënie autorizimi për arrestimin e një anëtari të Parlamentit, për kontroll personal apo të banesës. Në momentin që e paraqitëm raportin tonë ka ndodhur një realitet i ri faktik dhe institucional. Një realitet i ri që e ndryshon tërësisht natyrën e vlerësimit të kërkesës së SPAK-ut: deputetja në fjalë nuk ushtron më funksione ekzekutive. Për rrjedhojë, masa e pezullimit nga detyra nuk prodhon asnjë efekt real juridik dhe raporti ynë e qartëson edhe narrativën mbi të cilën SPAK ka ndërtuar kërkesën për aplikimin e masave më të rënda të sigurimit personal”, deklaroi Manja.
Ai shtoi se “një çështje që është e drejtësisë dhe duhej të mbetej e drejtësisë, është shndërruar sot në mënyrë të padrejtë në një gjyq publik në sytë e qytetarëve”.
Nga ana tjetër, relatori i demokratëve në Këshillin e Mandateve, Oerd Bylykbashi, theksoi se deputetët duhet të autorizonin masën e sigurisë ndaj Ballukut në kuadër të procedimit penal të vitit 2025, ku ajo dyshohet për shkelje të barazisë së pjesëmarrësve në tendera dhe ankande publike.
Lini një Përgjigje