TAGS-AT E JAVËS

Politike12 Mars 2026, 12:00

“E gjithë Shqipëria në Tiranë”, Berisha njofton se kur do të mbahet protesta e rradhës e opozitës

Shkruar nga Pamfleti

 

“E gjithë Shqipëria në Tiranë”, Berisha njofton
Sali Berisha në protestën para Kuvendit

Kreu demokrat Sali Berisha ka bërë të ditur datën se kur do të mbahet protesta e rradhës e opozitës në Tiranë kundër Kryeministrit Edi Rama.

Kryedemokrati u shpreh se kjo protestë do të zhvillohet më 22 mars, ditë kur ftoi të gjithë shqiptarët të zbarkojnë në rrugët e Tiranës.

Me 22 mars, e gjithë Shqipëria në Tiranë. E gjithë Tirana në rrugë. Të vazhdojmë kryengritjen tonë paqësore gjer në fitoren përfundimtare. Fitore, fitore, fitore!”, tha Berisha, duke iu drejtuar mbështetësve të opozitës që u mblodhën para Kuvendit, teksa në seancë do të votohej kërkesa e SPAK për arrestimin e Belinda Ballukut.

Data kur do të mbahet protesta është simbolike për Partinë Demokratike, e cila arriti fitoren e parë të saj elektorale në zgjedhjet e vitit 1992. Pikërisht më 22 mars të 34 viteve më parë, demokratët që drejtoheshin nga Sali Berisha, fituan për herë të parë zgjedhjet pluraliste, në një proces të parakohshëm elektoral, që pasoi zgjedhjet e 31 marsit 1991, që në atë kohë u fituan nga Partia e Punës së Shqipërisë, e cila ndryshoi më pas emrin në Partia Socialiste.

Duket se kjo datë është zgjedhur nga Berisha si simbolike për të vijuar aksionin opozitar të demokratëve që kanë zhvilluar disa protesta kombëtare kundër Edi Ramës, por pa mundur që të rrezikojnë pushtetin e tij.

Berisha në deklaratat publike e ka cilësuar pranverën e 2026-ës si atë të demokracisë, ndërsa ka theksuar se do të vijojë revolucionin paqësor kundër regjimit që po largon Shqipërinë nga Europa.

Protestat e deritanishme të opozitës kanë prodhuar përplasje mes mbështetësve të PD dhe Policisë së Shtetit, ndërsa protesta e fundit shënoi edhe fundin e karrierës së Ilir Prodës në krye të uniformave blu. Një incident i ndodhur në vilën e ish-diktatorit Enver Hoxha ku protestuesit hodhën disa molotovë u përdor si pretekst nga Kryeministri për të larguar Prodën nga drejtimi i Policisë së Shtetit, një emër i akuzuar nga opozita për lidhje me krimin.     

kuvend berisha protesta pd

Lini një Përgjigje