“Shuteriqi ka pasur një rol të madh në mbajtjen e një statukuoje në Lidhjen e Shkrimtarëve, ku asokohe ishte...”/ Parathënia e Kadaresë te libri i ri i Kaloçit
Nga Ismail Kadare
Dhimitër Shuteriqin e kam njohur që në fillimin e viteve ’50. Më kujtohet që ishin dy drejtues të Lidhjes, ishin si borgjezë të dy, Dhimitër Shuteriqi dhe Mark Ndoja. Na kishin marrë disa herë në lokal për kafe, mua dhe një shokun tim, Vangjel Gjeçi, që ka humbur përgjithmonë. I humbur në kuptimin e plotë të fjalës. Këta pra, Dhimitri me Mark Ndojën, ishin dy mjeshtrat e Lidhjes, dy zotërinj të vërtetë, kurse ne ishim dy shkrimtarë të rinj. Kishim qenë jashtë, në Moskë, venim dhe vinim në ish-Bashkimin Sovjetik. U pëlqente të rrinin me ne dhe ne kishim qejf të rrinim me ata. Ne sa kishim botuar shkrimet e para në gazetën “Letrari i Ri”.
Në atë kohë ne ishim të guximshëm në mendime dhe nuk kishim frikë prej tyre, pra nuk ngurronim të rrinim me ta, përkundrazi. Ndërsa me Mark Ndojën nuk pata rast të takohesha më, pasi ai e pësoi më vonë dhe nuk e kam të qartë se ç’u bë me të. Me Shuteriqin m’u dha rasti të njihesha nga afër disa vjet më vonë, kur unë vajta gazetar te “Drita”, që i kishte zyrat në Lidhje. Takoheshim dhe komunikonim me njëri-tjetrin. Ai ishte në katin e dytë, ne ishim në kat të parë. Shuteriqi ishte vërtet shumë dashamirës ndaj meje, më shihte me njëfarë kureshtjeje, pasi unë vija nga një botë tjetër, që nuk ishte as Lindore dhe as Perëndimore.
Isha si një mister për të: “Si i kupton ky këto gjëra?!”. Unë vija nga një vend siç ishte Bashkimi Sovjetik, që ishte niveli më i lartë i gjithë kampit socialist. Aty kishte kombësi të ndryshme shkrimtarësh dhe ne bisedonim për tema të ndryshme pa pasur frikë nga njëri-tjetri. Unë isha atje bashkë me Sterjo Spassen. Sterjo ishte babëlok i vërtetë. Më duhet të them se në atë kohë kishim një liri të madhe, kjo edhe për shkak të moshës sonë, megjithëse Sterjo ishte 44 vjeç dhe unë vetëm 22 vjeç. Shuteriqin e kujtoj dhe e mbaj mend si një njeri shumë serioz.
Kur unë pata atë që e quajnë konflikt me Bilal Xhaferin (për romanin “Dasma”), që në fakt as ia vlen ta përmendësh, se nuk ka qenë i tillë, Shuteriqi e menaxhoi në mënyrë të ndershme dhe u tregua tepër korrekt. Është fakt që Shuteriqi, si kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë, ishte mjaft dashamirës dhe ndihmonte shkrimtarët që kishin probleme në biografi, por kjo gjë nuk mund të quhej dëmtuese për të. Njerëzit në një diktaturë durojnë disa sulme. Struktura e tyre, mendore, fizike, morale, u bën ballë atyre. Pra, këto ndërhyrje nuk e dëmtonin Shuteriqin.
S’i thoshte njeri: “pse e ndihmoi, pse e përkrahu Dhimitri!” Nënteksti ishte se Dhimitri kishte ca ide borgjeze. Këtu qëndronte dhe roli përparimtar i tij, rol që e mbante mbi supe dhe e kuptonte. Parulla të tilla si “kështu na thotë partia” etj, nuk thoshte ai asnjëherë. Kishte një stil që merreshim vesh ne. Në fillim të vitit 1973, pra në periudhën pas Festivalit të 11 të Këngës në Radio-Televizion, kur filloi goditja ndaj njerëzve të Artit e Kulturës, në mbledhjet e gjata që u bënë në Lidhjen e Shkrimtarëve dhe Artistëve, në Komitetin e Partisë së Tiranës, në Komitetin Qendror të PPSH-së etj., etj., u bënë analiza dhe kritika të shumta. U sulmua edhe Dhimitër Shuteriqi.
Ai u akuzua për frymë liberale, se kishte lejuar atë situatë në Lidhje etj., etj. Ndër njerëzit që ai kishte mbështetur apo kishte përkrahur, me një fjalë shkrimtarë veprimtaria e të cilëve binte ndesh me orientimet e vijën e Partisë për Artin e Kulturën, jam përmendur e kritikuar edhe unë. Kjo gjë tashmë është e njohur dhe del qartë edhe te ky libër në mjaft dokumente arkivore të ish-Komitetit Qendror të PPSH-së etj., por dhe te dy-tre libra të tjerë, që autori i këtij libri, Dashnor Kaloçi, ka botuar para tre-katër vjetësh, ku unë jam kritikuar apo akuzuar si një njeri dhe bashkëpunëtor i ngushtë i Dhimitër Shuteriqit dhe Fadil Paçramit.
Por për hir të së vërtetës, unë në atë kohë nuk pyesja shumë për këto akuza, nuk i merrja seriozisht këto gjëra. Fare. Duket sikur po mburrem, por ashtu ka qenë e vërteta. Kisha një ide sublime për letërsinë, e cila më mbante gjallë në çdo moment. Nuk doja të dija për asnjë udhëzim që mund dhe jepte Partia, për asnjë, absolutisht! Kisha vetëm një gjë në mend, gjeja e një figure të bukur dhe, kështu, tri ditë isha i shpëtuar...! Kjo në letërsi quhet gjetje gjeniale, ku shkrimtari e kupton menjëherë kur gjen diçka të tillë, të themi të pavdekshme. Me këtë gjendje jetoja kur shkruaja dhe prisja kur të kthehej Helena nga puna, që t’ia tregoja edhe asaj.
Heqja e Dhimitrit nga Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve u prit natyrshëm në njëfarë mënyre nga ne, sepse në atë kohë, pra, pas Festivalit të 11 të Këngës në Radio-Televizion, kur Enver Hoxha kishte mbajtur ato fjalimet e tmerrshme në Presidiumin e Kuvendit Popullor, aparatin e Komitetit Qendror të PPSH-së etj., ndodhën ndryshime dhe ndëshkime kudo në institucionet kulturore dhe artistike me lëvizje, shkarkime, heqje nga detyra etj. Por qe fat që “çështja Shuteriqi” nuk përfundoi në mënyrë dramatike, pra me burg apo internim etj., masa që zbatoheshin në atë kohë nga ai regjim. Pra, largimi i Shuteriqit nga kreu i Lidhjes nuk bëri përshtypje të keqe, sepse ishte një gjë që pritej.
“Kostumi” i tij aq lejonte, nuk lejonte më tutje. Para se të ndodhte ajo që ndodhi, pra largimi i tij, e kujtoj Dhimitrin që kur lexonte ndonjë libër të ne shkrimtarëve të tjerë, nuk e fshihte mendimin e tij, nuk ngurronte të fliste dhe diskutonte me ne. Kështu, për shembull, kur lexoi romanin tim “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”. Ishte mjaft i komunikueshëm dhe i thoshte pa asnjë drojë mendimet e veta. Ishte shumë korrekt, nuk i fshihte gjykimet e tij. Kurse disa të tjerë në kryesinë e Lidhjes ishin hileqarë, fshatarë, tinëzarë. Kjo pasi ata nuk kishin asnjë lloj lidhjeje me letërsinë, pra, nuk ishin shkrimtarë.
Unë nuk i quaj shkrimtarë ata, por në rrethana nga më të ndryshmet, u kishte mbetur lapsi në dorë. Ndërsa Shuteriqi ishte tjetër gjë. Unë jetoja në një botë krejt tjetër, isha shumë i lirë në shpirt. Unë dhe Dritëroi ca kohë, ishim të lirë, ndaj nuk më besohet ende dhe sot se ca kohë ai u bë i tillë, pra, i ashpër. Nuk di t’i shpjegoj sulmet që bëri Dritëroi edhe ndaj meje, por e respektoja miqësinë e adoleshencës dhe të rinisë së parë, sinqeritetin e moshës. Kam dëgjuar të thuhet se Dritëroi ishte i përzgjedhuri dhe kishte punuar për të na ngrënë kokën ne! Ai nuk u vu thjesht për këtë gjë. Aty, pra, te Lidhja e Shkrimtarëve, në goditjet që u bënë në atë kohë, kishte një rol kryesor vetë Enver Hoxha, pasi punët e tij në atë të gradës apo shkallës së lartë, janë të mbuluara me mister.
Edhe Lidhja e Shkrimtarëve hynte te punët e tij intime dhe Enveri vendoste vetë se kush do të ishin krerët kryesorë të Lidhjes që nuk do të prekeshin. Pra, ky apo ai, me emra, nuk do të preken, kurse tek të tjerët të bjerë fshesa, të bëhet hataja. Duheshin larguar dhe nuk donte t’ia dinte fare se ç’do të bëhej me ta. Në vitet ’60 Shqipëria ka pasur një periudhë liberalizimi dhe Shuteriqi luajti një rol të madh në mbajtjen e një statukuoje në Lidhjen e Shkrimtarëve, që asokohe ishte e kulturuar, gjysmë dinjitoze dhe e padegraduar sikurse në ish-Bashkimin Sovjetik, ku shkrimtarët ulërinin të gjithë duke hedhur akuza ndaj njëri-tjetrit.
Dhimitër Shuteriqit i ra fati të ishte kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë, organizatës sonë më të madhe, në një kohë shumë të vështirë. Ishte një shkrimtar i formuar kur u bë kryetar, një erudit i pajisur me kulturë perëndimore. Nuk ishte e lehtë të ishe kryetar dhe të ishte me kulturë perëndimore në një vend stalinist si Shqipëria, pra, duhet kuptuar se nuk ishte e lehtë. Disa nga ne, që siç thashë pak më lart, vinim nga ish-Bashkimi Sovjetik apo nga vendet e bllokut Lindor, p.sh., unë vija nga Moska, të tjerë nga Leningradi, nga Budapesti, nga Varshava etj., kuptohet që kishim një vizion tjetër për botën.
Vërtet kishim studiuar në vendet komuniste Lindore, por kishim një lloj përkushtimi për një trevë ku s’kishim qenë kurrë, për Perëndimin. Kishim për kryetar tani një njeri që kishte ardhur nga Perëndimi, por që përpiqej të adaptohej me këtë botë komuniste. Natyrisht, ishte si një kostum që i rri ngushtë njeriut. Ka qenë një kohë e tillë ku natyrisht ishin të pashmangshme, moskuptimet, keqkuptimet midis brezash, mes nesh, mes mendimesh disa herë.
Por të gjitha këto, me Dhimitër Shuteriqin, nuk i kalonin kurrë kufijtë e kulturës dhe ne të gjithë e ndienim këtë në thellësi. Ne shkrimtarët e asaj kohe në përgjithësi, kishim një si lloj shtypjeje mbi krye. Gjithsesi, një pjesë e madhe jona ndiheshim si pjesëtarë të një familjeje, që ishte familja e madhe e artit. Dhimitër Shuteriqi ka qenë një nga shkrimtarët që më ka ndihmuar qysh në fillimet e mia letrare. I kam qenë gjithmonë mirënjohës për këtë.
(Parathënie e librit “Dhimitër S. Shuteriqi, rilindasi i fundit dhe regjimi komunist”, i autorit Dashnor Kaloçi, Shtëpia Botuese “Mediaprint”)
Lini një Përgjigje