Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka komentuar deklaratat e kryeministrit Edi Rama në podkastin “Flasim”, ku u ankua ndaj protestuesve për ndikimin në sektorin e turizmit.
Berisha deklaroi se protesta e zhvilluar në Tiranë ishte ndër më të mëdhatë e organizuara në kryeqytet, duke pretenduar se në të morën pjesë rreth 200 mijë qytetarë që kërkuan dorëheqjen e kryeministrit.
Sipas tij, Rama po përpiqet t’i paraqesë protestat si shkaktare të vështirësive që po has turizmi, ndërsa përgjegjësinë për situatën ekonomike dhe largimin e qytetarëve nga vendi ia atribuon qeverisë.
"Dje Tirana njohu protestën më të fuqishme në tërë ekzistencën e saj, mbase 200.000 qytetarë vërshuan në sheshet dhe rrugët e saj në kërkesën për dorëheqjen e Edi Ramës. Por siç ka faktuar historia, diktatorët të verbuar nga pushteti nuk dëgjojnë të tjerët, nuk njohin realitetin dhe së fundi nuk marrin ndonjëherë vendime të drejta”, shprehet kryedemokrati.
Në reagimin e tij, Berisha kundërshtoi edhe komentet e kryeministrit për protestuesit, duke theksuar se lëvizja opozitare do të vijojë aksionin politik deri në arritjen e objektivave të saj.
Ai u ndal gjithashtu te pjesëmarrja e shqiptarëve që jetojnë jashtë vendit, duke theksuar se diaspora mbetet e lidhur me zhvillimet politike në Shqipëri dhe mbështet protestat e opozitës.
Deklaratat e Berishës erdhën pasi Rama tha në podkastin e tij se kishte marrë ankesa nga operatorë turistikë për anulime rezervimesh gjatë sezonit veror, duke argumentuar se protestat po ndikojnë negativisht te bizneset dhe të ardhurat nga turizmi.
Lini një Përgjigje