TAGS-AT E JAVËS

Politike12 Mars 2026, 12:39

Rrëzimi i kërkesës së SPAK, reagon Salianji: Nga sot, nis përplasja Rama-drejtësi

Shkruar nga Pamfleti
Rrëzimi i kërkesës së SPAK, reagon Salianji: Nga sot, nis
Ervin Salianji

Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji, ka reaguar pas vendimit të mazhorancës në Kuvend për të rrëzuar kërkesën e SPAK për heqjen e imunitetit dhe autorizimin e arrestimit të ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku, e pandehur për korrupsion me tendera.

Në reagimin e tij, Salianji deklaroi se votimi i sotëm në Parlament tregon, sipas tij, se mazhoranca socialiste po hyn në një përplasje të hapur me institucionet e drejtësisë.

Sipas Salianjit, vendimi për Ballukun rrëzon edhe narrativën që, sipas tij, ishte ndërtuar ndër vite për suksesin e reformës në drejtësi.

“Vendimi i sotëm është qartësisht fillimi i një beteje të re të socialistëve me drejtësinë, një betejë institucionale, publike dhe politike ndaj asaj që me propagandë u quajt ‘drejtësia e re’”, u shpreh Salianji.

Ai shtoi se kryeministri Rama dhe mazhoranca socialiste kanë rrëzuar vetë mitin e drejtësisë së pagabueshme që kishin promovuar, duke argumentuar se mbështetja ndaj drejtësisë është selektive dhe lidhet me interesa politike.

Në përfundim, Salianji theksoi se vendimi i Kuvendit shënon fillimin e një përballjeje të re politike mes qeverisë dhe SPAK.

“Nga sot nis epoka e re, Rama në përballje të hapur kundër SPAK dhe drejtësisë”, deklaroi ai.

Reagimi i Salianjit:

Vendimi i sotëm në parlament rrëzoi propagandën për “shkëlqimin” e drejtësisë së re dhe i dha fund një epoke të shkurtër, por të zhurmshme, gati 10-vjeçare, ku u shit iluzioni se një drejtësi e re, e mbështetur politikisht, do t’i jepte fund pandëshkueshmërisë dhe korrupsionit.

Vendimi i sotëm është qartësisht fillimi i një beteje të re të socialistëve me drejtesinë, një betejë institucionale, publike dhe politike ndaj asaj që me propagandë u quajt “drejtësia e re”.

Sot, Rama dhe socialistët rrëzuan mitin që kishin ngritur prej vitesh për një drejtësi të pagabueshme. Ata provuan se për ta drejtësia është e mirë vetëm kur përdoret politikisht, vetëm kur godet kundërshtarët, vetëm kur burgos ata që denoncojnë.

E vërteta është e thjeshtë: Rama dhe qeveria nuk ka dashur kurrë drejtësi të pavarur dhe te barabartë për të gjithë. Ka dashur një drejtesi për ta pérdorur si mekanizëm mbrojtje ose për ta përdorur me standarde të dyfishta, një instrument presioni dhe propagande, jo një garanci për shtetin e së drejtës.

Nga sot nis epoka e re, Rama në përballje të hapur kundër SPAK dhe drejtësisë!

salianji partia demokratike kuvend spak

Lini një Përgjigje