Kuvendi zhvilloi sot seancën për imunitetin e Belinda Ballukut, ish-zv.Kryeministres, për të cilën SPAK kishte kërkuar autorizimin për vendosjen e një mase sigurie “arresti” bazuar në një hetim që ka nisur ndaj ish-ministres së Infrastrukturës.
SPAK akuzon Ballukun për shkelje të barazisë në tendera, ndërsa ndaj saj GJKKO ka vendosur fillimisht masën e sigurisë “ndalim të daljes jashtë vendit”, por duke iu drejtuar Kuvendit me një kërkesë për autorizimin që nëse do të miratohej do të çonte në një ashpërsim të masës së sigurimit personal.
Gjithsesi socialistët, që kishin vendosur më parë të rrëzonin kërkesën e SPAK, sot konkretizuan me votë qëndrimin në seancën plenare ku 82 deputetë të PS-së votuan raportin e paraqitur nga kolegu i tyre Ulsi Manja, në emër të anëtarëve socialistë të Këshillit për Mandatetet dhe Imunitetin, ku jepeshin argumentet sepse Kuvendi nuk mund të miratonte autorizimin.
Seanca e sotme konsiderohej një nga më të rëndësishmet e muajve të parë të legjislaturës së re, pas asaj të miratimit të Qeverisë në mandatin e 4-rt të Edi Ramës si Kryeministër. Por përtej rëndësisë që kishte kjo seancë, ajo duket se nuk tërhoqi vëmendjen e asnjë përfaqësie diplomatike të akredituar në Tiranë.
Për herë të parë në seanca të tilla, lozhat e Kuvendit, vende ku zakonisht qëndrojnë përfaqësues të trupit diplomatik, të ftuar të veçantë, apo diplomatë, ishin të boshatisura. Madje mungonin edhe përfaqësues të niveleve të ulëta të misioneve diplomatike, përfshi edhe organizmave, që hera herës monitorojnë punën e Kuvendit apo institucioneve të drejtësisë.
Ndoshta njoftimet për protesta nga ana e opozitës dhe paralajmërimet për tensione, është arsyeja që mund të ketë shmangur praninë e të ‘huajve’, që duket se nuk kanë pasur pritshmëri të tjera nga seanca, përtej atyre të thëna publikisht edhe nga Kryeministri Edi Rama, i cili në mbledhjen e Grupit Parlamentar të PS-së e mbajtur 3 ditë më parë, njoftoi vendimin që u zyrtarizua sot: rrëzimin e kërkesës së SPAK.
Në anën tjetër, pati një ndryshim strategjie edhe nga Partia Demokratike, e cila ndryshe nga sa ishte njoftuar, krijoi tensionet në sallë, duke i rënë tavolinave dhe duke zaptuar foltoren, vetëm pasi Kuvendi me votën e mazhorancës socialiste rrëzoi kërkesën e SPAK.
Deri në momentin e votimit, deputetët demokratë qëndruan në mënyrë shembullore në sallën e Kuvendit, duke respektuar seancën, që nisi me paraqitjen e raporteve të Këshillit të Mandateve dhe Imuniteteve. Fillimisht ishte raporti i opozitës që u prezantua nga Oerd Bylykbashi dhe më pas ai i socialistëve që u lexua nga Ulsi Manja. Në të dy rastet, deputetët e opozitës respektuan procedurat, duke mos krijuar asnjë tension apo duke mos ndërprerë në asnjë moment Ulsi Manjën, i cili për më shumë se 30 minuta lexoi raportin në emër të mazhorancës.
Në momentin që u zhvillua votimi, ku 82 deputetë të PS-së rrëzuan kërkesën e SPAK, deputetët e PD-së nisën revoltën, duke i rënë tavolinave dhe më pas duke shkuar te foltorja e Kuvendit.
Ndryshimi i strategjisë nga ana e opozitës duket se kishte të bënte pikërisht me atë për të identifikuar Edi Ramën si kundërshtarin e SPAK-ut, edhe pse në rastin e kërkesës për imunitetin e Belinda Balluku, ai kishte deklaruar edhe më parë qëndrimin që u mbajt sot në seancë.
Por duket se opozitës i ka interesuar më shumë që të identifikojë Kryeministrin si pengesën e rradhës për SPAK-un, jo për opinionin e brendshëm, por në raport me ndërkombëtarët. Dhe duket se kjo do të jetë edhe strategjia që PD do të ndjekë në raport me faktorin ndërkombëtar, në veçanti atë europian, që e ka kushtëzuar rrugëtimin e Shqipërisë drejt BE-së me shtetin ligjor dhe funksionin e drejtësisë në mënyrë të pavarur dhe pa presione. /Pamfleti/
Lini një Përgjigje