
Ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu ka dëshmuar ditën e sotme në GJKKO lidhur me dosjen “Gërdeci”, teksa komentoi edhe thirrjen për të dëshmuar të djalit të ish-kryeministrit Sali Berisha, Shkëlzen Berisha.
Në një prononcim për gazetarët, Mediu tha se duhet të thirren dëshmitarët dhe të tregojnë të vërtetën siç është.
“Është e domosdoshme të thirren dëshmitarët. Edhe ata që nuk ndodhen brenda vendit ka mënyra për të dëshmuar. Bëj thirrje në emër të të vërtetës që gjithsecili të flasë dhe të tregojë të vërtetën siç është. Duhet të rithirren personalitetet ushtarake. Duhet të thirren edhe ministrat që kam kërkuar të thirren. Përndryshe do të ecim me konceptin e vjetër që ushtria është partia”, u shpreh Mediu.
I pyetur nga gazetarët nëse ishte Shkëlzen Berisha një dëshmitar i domosdoshëm, Mediu nuk ka nguruar ta mbrojë duke u shprehur se ai nuk ka lidhje me këtë proces.
"Ai nuk ka asnjë lidhje me mua në këtë proces. Në qoftë se do kishte, kishte mënyrë tjetër procedimi.
Dy dëshmitarë nuk pranuan të dëshmojnë. Mendoni se të gjithë të tjerët do mbajnë të njëjtin qëndrim?
Kam vlerësim maksimal për punonjësit e Ministrisë së Mbrojtjes. E kërkova edhe në gjykatë që deklarimet që kanë bërë në gjykatë të konsiderohen dhe e vërteta të provohet përmes dëshmive të tyre. është në interesin e tyre që të deklarojnë qëndrimin e tyre përpara kësaj gjykate", tha Mediu.
Lini një Përgjigje