Sali Berisha nga protesta e Gjykatës së Lartë duket se i është frikësuar vendimit të SPAK që pritet ta kyçë atë në shtëpi me polic te dera.
Ish-kryeministri sulmoi ashpër këtë institucion dhe GJKKO-në teksa tha se janë nën urdhrat e kryeministrit Edi Rama.
'Zgjohuni! Rama mori vulën, tani do të më burgosë', u tha Berisha sot militantëve të mbledhur para Gjykatës së Lartë.
Ai tha se masa që do të jepet ndaj tij dhe ajo që është kërkuar nga SPAK, “Arrest shtëpie” me mbikëqyrje policore, se po tentojnë që t’i heqin të drejtën e komunikimit, duke menduar se do të shpëtojnë, por kjo nuk do të ndodhë sipas tij.
“Është kjo gjykatë pas nesh, vegël e Ramës, që po përdoret si bisturia në duart e kriminelit për të masakruar arritjet e shqiptarëve. Kostoja e këtij gabimi është vetë liria. Njeri i lirë është ai që zbaton ligjin. Mbi 500 mijë vota jo më larg se 7 muaj më parë, apo nga votëbesimi rreth 1 muaj më parë. A ka njeri të lirë sot që të besojë se gjykata duhet të vendosë se e kujt është vula dhe logo e PD se dhe kush është kryetari i saj? A ka njeri sot që pajtohet se logo e PD mund të jepet si një plaçkë, një njeri që ka tradhtuar gjithçka. Ka njeri të lirë sot që të mendojë se Lulzim Brava të rrijë në opozitë. Ky nuk është sulmi i vetëm që po i bëhet opozitës nga gjykata. Gjykata do të vendosë sot dhe masën ndaj Berishës. Mirë dakord, u shkel kushtetua duke kërkuar heqjen e lirisë. U shkelën ligjet dhe nuk po përmend as standardin ligjor. Pse duhet kyçur pa asnjë provë dhe fakt në shtëpi Berisha? Se ju ka kallur tmerrin monstrës së pluralizmit. Do të më falni, do të perifrazoj.”, tha ai.
Sot Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar pritet të vendosë për masën e sigurisë ndaj Sali Berishës, nëse do të ashpërsohet ose jo.
SPAK ka kërkuar nga detyrim paraqitje masën e arrestit të shtëpisë ndaj ish-Kryeministrit Sali Berisha.
Seanca e djeshme u shty pasi avokatët kërkuan kohë të njihen me kërkesën dhe pretendimet e SPAK që argumenton se Berisha nuk zbatoi masën e parë, atë të detyrimit për t’u paraqitur.
Për këtë arsye, vendimi nëse do të ketë zëvendësim mase pritet të merret sot në orën 11:00.
SPAK kërkon arrest shtëpie nën mbikëqyrje policore dhe ndalimin e çdo lloj komunikimi të tij me persona të tjerë përveç atyre që jetojnë me të në të njëjtën banesë./ Pamfleti
Lini një Përgjigje