TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet27 Dhjetor 2023, 10:13

Gjyqi për 'Gërdecin', Shkëlzen Berisha pranon se ka folur me Fatmir Mediun ditën e tragjedisë

Shkruar nga Pamfleti

Gjyqi për 'Gërdecin', Shkëlzen Berisha pranon se ka

Shkëlzen Berisha, djali i ish kryeministrit Sali Berisha ka dalë nga ambientet e GJKKO-së pas qëndrimit për rreth një orë si dëshmitar në gjyqin për ish ministrin Fatmir Mediu për tragjedinë e Gërdecit.

Shkëlzen Berisha ka folur për mediat pasi u mor në pyetje nga GJKKO për tragjedinë e Gërdecit.

Berisha pranoi se ditën e ngjarjes ka folur me ish-ministrin e Mbrojtjes, Fatmir Mediu, duke pretenduar se kanë diskutuar për një çështje personale.

Ai thotë se takimet me Aldo Bumçin janë kryer vetëm për qëllime elektorale. I pyetur edhe për telefonatat me Mihal Delijorgjin, Shkëlzen Berisha se të gjitha telefonatat janë kryer pas vitit 2008 dhe s’kanë pasur lidhje me Gërdecin.

"44 telefonata me Delijorgjin. Për ta specifikuar, të gjitha telefonatat janë kryer pas vitit 2008. Praktika dhe puna në atë punishte ka nisur që në 2007. Nuk ka pasur asnjë lidhje me çështjen në fjalë. Delijorgji përveç se ka qenë i përfshirë në këtë çështje, ka qenë edhe sipërmarrës ndërtimi dhe kjo është mënyra si e kam njohur unë", tha Berisha.

Takimet me Bumçin dhe Mediun? 

Shkëlzen Berisha: Të gjitha takimet kanë qenë me çështje personale, as me këtë çështje as me VKM të tjera. Bumçin dhe Mediun i kam miq para se të ishin ministra, i kam miq edhe sot që s’kanë më të njëjtin funksion.

Takimi me Mediu ditën e ngjarjes? 

Shkëlzen Berisha: Kam diskutuar për një çështje të tij personale. I kam takuar para se të mbanin funksione të tilla, gjatë kohës që kanë pasur funksione të tilla, i takoj akoma. Biseda janë biseda që bëhen mes miqsh. Politizimi i kësaj çështjeje nuk e ka ndihmuar të vërtetën.

Thirrja e Shkëlzen Berishës në të njëjtën seancë me Aldo Bumçin, lidhet me faksin që ky i fundit i ka dërguar Ministrit të Mbrojtjes së kohës Fatmir Mediu me shënimin “për Shkëlzen Berishën”, në pjesën e sipërme të dokumentit në krahun e majtë. Përveç këtij dokumenti, djali i ish-kryeministrit pritet të pyetet edhe për takime me ministrat e kohës në qeverinë Berisha dhe një telefonatë me Fatmir Mediun menjëherë pas shpërthimit në Gërdec, ku humbën jetën 26 persona e mbi 300 mbetën të plagosur.

Faksi i vitit 2007 ku është shënuar emri i Shkëlzen Berishës, ishte dhënie mendimi aprovues nga Ministria e Drejtësisë, për projekt-vendimin e qeverisë të përgatitur nga Ministria e Mbrojtjes, për demontimin e municioneve në Gërdec. Më 26 janar 2023, Shkëlzen Berisha dhe Aldo Bumçi, janë pyetur edhe gjatë hetimeve paraprake nga prokuroria, ndërsa në gjykatë ata mbyllin listën e parë prej 52 dëshmitarësh.

Përveç Shkëlzen Berishës dhe ish-ministrit të drejtësisë Aldo Bumçi, para gjykatës do të dalin edhe 5 dëshmitarë të tjerë që ishin planifikuar për seancën e 7 dhjetorit. Plarent Ruka, Sokrat Papadhima, Liza Maksuti, Alma Zili e Anjola Agolli, pritet të japin shpjegime para gjykatës. Anjola Agolli është ish-sekretarja e ministrit të Drejtësisë Aldo Bumçi, e cila para prokurorëve ka pranuar se për çështjen Gërdeci janë nisur fakse nga Ministria e Drejtësisë për Ministrinë e Mbrojtjes nga zyra e Drejtorisë së Kodifikimit.

Në procesin për Gërdecin, pritet të pyeten më pas pjesa e dytë e listës, ku përfshihen ish-zyrtarë dhe ushtarakë të pandehur më parë për çështjen, përfshirë edhe ish-shefin e Shtabit Luan Hoxha, i cili ndodhet jashtë Shqipërisë që prej vitit 2012.

Historia e Fax-it

Gjyqi për 'Gërdecin', Shkëlzen Berisha pranon se ka

Ky është faksi që Aldo Bumçi ka nisur nga zyra e tij, në adresë të një zyre në Ministrinë e Mbrojtjes ku punonte në mënyrë informale Shkëlzen Berisha për projektin e Gërdecit. Faksi është fotokopje e “Memo”-s zyrtare, që Bumçi si ministër Drejtësie i ka kthyer përgjigje Ministrisë së Mbrojtjes, për ta miratuar procedurën e koncesionit të Gërdecit me VKM nga qeveria. Por për të informuar paralelisht Shkëlzenin, që “çdo gjë është në rregull”, një fotokopje të “Memo”-s, i ka vënë shënimin sipër “Për Shkëlzen Berishën” dhe e ka nisur në një numur faksi që i korenspondon protokollit në Ministrinë e Mbrojtjes.

Sekretarja e Aldo Bumçit në dëshminë e saj në Prokurori dhënë në atë kohë kur u hetua e pranon se e ka nisur ajo faksin me porosi të Bumçit dhe ka parë Shkëlzen Berishën të hyjë dy herë në atë kohë tek zyra e Bumçit. Sekretarja e Ministrisë së Mbrojtjes, Anila Lala, pranon që ka marrë faksin nga Ministria e Drejtësisë dhe kur ajo e ka marrë, shënimi “Për Shkëlzen Berishën” ka qenë sipër faksit.

Ajo e ka çuar në një zyrë, ku ka menduar se mund ta merrte Shkëlzen Berisha. Pra, gjithë rruga informale ka qenë e qartë. Të gjithë raportonin te djali i Berishës.

Si ndodhi tragjedia e Gërdecit

Ishte data 15 mars (e shtunë), 2008 rreth orës 12:05, ku si pasojë e një shpërthimi të fuqishëm në një "fabrikë" për demontimin e armëve humbën jetën të paktën 26 persona, punëtorë të kësaj fabrike “vdekjeje” e fëmijë të zonës. Shpërthimi ishte aq i fuqishëm sa që shkatërroi 3000 banesa e biznese. Një “betejë” e gjatë dhe e ashpër po zhvillohet mes familjeve të viktimave, qeverisë dhe drejtësisë, me bazë akuzat e ndërsjellta mes palëve. Për këtë tragjedi prokuroria dërgoi 28 të pandehur në gjykatë, mes tyre edhe Mihal Delijorgjin, president i shoqërisë “Albademil”, Ylli Pinari, drejtor i kompanisë MEICO dhe Dritan Minxholli, administrator i fabrikës, të cilët janë liruar nga burgu pas kryerjes së dënimeve përkatëse.

Në shkurt 2013, Gjykata e Apelit reduktoi me 1/3 dënimin e dhënë nga Gjykata e Tiranës për tre të pandehurit kryesorë të dosjes “Gërdeci”. Ndërsa vijon gjyqi ndaj Fatmir Mediut, aktualisht kryetari i Partisë Republikane dhe deputet në Parlament.  

gerdeci shkelzen berisha fatmir mediu gjyq

Lini një Përgjigje