Shkëlzen Berisha ka mbërritur në Gjykatën e Posaçme për të dëshmuar në gjyqin ndaj Fatmir Mediut për dosjen “Gërdeci”.
GJKKO ka thirrur të dëshmojë Shkëlzen Berishën lidhur me faksin që Aldo Bumçi i ka dërguar Fatmir Mediut me shënimin “për Shkëlzen Berishën”.
“Do të flas kur të dal”, është shprehur Berisha teksa hynte në ambientet e GJKKO-së ku do të mbahet seanca gjyqësore e radhës.
Më 14 Dhjetor Shkëlzen Berisha nuk u paraqit në Gjykatën e Posaçme për të dëshmuar në procesin për tragjedinë e Gërdecit.
Trupi gjykues tha se dëshmitari nuk kishte marrë dijeni për thirrjen, ndërkohë që prokurori i çështjes Klodian Braho, sqaroi se njoftimi ishte çuar në adresën e vjetër të djalit të ish-kryeministrit.
Ai informoi gjykatën mbi adresën e re të Shkëlzen Berishës ku ai ishte përgjigjur në momentin e pyetjes gjatë hetimeve paraprake në janar 2023.
Gjykata tha se njoftimi për dëshmitarin do të përsëritet në adresën e re dhe Shkëlzen Berisha do të kërkohet në seancën e ardhshme (27 dhjetor), krahas dëshmitarëve të radhës të cilët sipas numrit rendor në listë janë Luan Hoxha, ish-shef i Shtabit dhe Ylli Pinari, ish-drejtor i ndërmarrjes MEICO.
Faksi "për Shkëlzen Berishën”

Thirrja e Shkëlzen Berishës në të njëjtën seancë me Aldo Bumçin, lidhet me faksin që ky i fundit i ka dërguar Ministrit të Mbrojtjes së kohës Fatmir Mediu me shënimin “për Shkëlzen Berishën”, në pjesën e sipërme të dokumentit në krahun e majtë.
Përveç këtij dokumenti, djali i ish-kryeministrit pritet të pyetet edhe për takime me ministrat e kohës në qeverinë Berisha dhe një telefonatë me Fatmir Mediun menjëherë pas shpërthimit në Gërdec, ku humbën jetën 26 persona e mbi 300 mbetën të plagosur.
Faksi i vitit 2007 ku është shënuar emri i Shkëlzen Berishës, ishte dhënie mendimi aprovues nga Ministria e Drejtësisë, për projekt-vendimin e qeverisë të përgatitur nga Ministria e Mbrojtjes, për demontimin e municioneve në Gërdec. Më 26 janar 2023, Shkëlzen Berisha dhe Aldo Bumçi, janë pyetur edhe gjatë hetimeve paraprake nga prokuroria, ndërsa në gjykatë ata mbyllin listën e parë prej 52 dëshmitarësh.
Lini një Përgjigje