Deputeti i Partisë Demokratike dhe bashkëkryetar i Komisionit për Reformën Territoriale, Luçiano Boçi, ka reaguar ashpër ndaj nismës së Partisë Socialiste për të ndryshuar formulën e përbërjes së këtij Komisioni, duke i bërë thirrje mazhorancës që të tërhiqet nga tentativa për të siguruar shumicën.
Në një deklaratë për mediat jashtë Kuvendit, Boçi theksoi se insistimi i PS-së për të dominuar Komisionin e bën të pakuptimtë praninë e përfaqësuesve të opozitës në këtë proces. Sipas tij, nëse mazhoranca nuk heq dorë nga nisma, PD nuk sheh më arsye për të vijuar pjesëmarrjen në Komision.
Ai ngriti gjithashtu shqetësimin për mënyrën e funksionimit të Komisionit, duke theksuar se ende nuk është zgjedhur sekretari dhe se vendimmarrja po anashkalon parimin e bashkëdrejtimit.
Boçi kërkoi që dy bashkëkryetarët e Komisionit të ulen së bashku për të zgjedhur sekretarin dhe për të rënë dakord mbi kalendarin e mbledhjeve, në mënyrë konsensuale.
“Nëse PS nuk tërhiqet dhe merr shumicën, atëherë nuk kemi asnjë arsye të qëndrojmë në Komision. Duhet të mblidhen dy kryetarët, të zgjedhim bashkë sekretarin dhe të vendosim së bashku për datat e mbledhjeve”, u shpreh Boçi.
Deklarata e tij shton tensionet politike rreth Reformës Territoriale, një proces që opozita kërkon të zhvillohet mbi bazën e konsensusit dhe jo të imponimit të shumicës parlamentare.
Lini një Përgjigje