TAGS-AT E JAVËS

Politike22 Qershor 2023, 20:52

“Berisha të reflektojë”, Korreshi ‘shpërthen’ ndaj Bashës: Në PD duhet frymë e re, nuk negocion njeri me humbësit

Shkruar nga Pamfleti

“Berisha të reflektojë”, Korreshi

Tensionet në PD vijojnë të mbeten aktive dhe me sa duket paqja për demokratët është e largët. Pas zgjedhjeve të 14 majit PD e ndarë në dy kahe u copëtua akoma dhe më shumë me humbjen drastike që pësuan.

Deputeti i Partisë Demokratike Saimir Korreshi tha se asnjë pjesë e PD nuk do të fitojë zgjedhjet e 2025 nëse do të jenë në anë të ndryshme.

Gjatë një interviste për ‘News 24’ Korreshi theksoi se ish-kryeministri Berisha duhet të reflektojë për humbjen e zgjedhjeve më 14 maj.

“Edhe zoti Berisha duhet të reflektojë për atë që ndodhi në 14 maj. Ka plot djem dhe vajza të reja që nuk ishin të baltosur”, u shpreh deputeti i PD.

Korreshi tha se elektorati gri duke parë përçarjen e opozitës nuk ka dalë të votojë gjë që sipas tij ishte një mesazh i fortë për PD.

“Njerëzit zgjedhin të ikin sepse situata politike është dramatike në vend, nuk ka shpresë. Me formulën zgjedhore që është nuk merr as pesë deputetë”, tha Korreshi.

I pyetur për rikthimin e Bashës, Korreshi tha se nuk negocion njeri me humbësit prandaj duhet një frymë e re në parti.

“Kush do ta pyesë vetëm po të ketë rënë në muhabet me Edi Ramën, se ne i provuam të gjitha. Ata tallën menderen për presidentin, ashtu bënë edhe për reformën territoriale, përse të mos tallen edhe me këtë. E nisi me def e mbaroi me tallava. Do të marrë gërnetën në 2025 dhe nuk do të flasë fare dhe do t’i bjerë dhe shqiptarët do të çojnë votën. Shqiptarët nuk kanë zgjidhje, me këtë situatë që është PD kështu do të shkojë.

Njerëzit po negociojnë me PS për një vend punë sepse aq shumë e kanë fryrë administratën sa janë kthyer tek demokratët dhe po i bëjnë qoka. Përse po e kërkojnë gjë në bazë që po rikthehet. O Lulzim o hero hajde se bëmë shaka. Nuk negocion njeri me humbësit. Nëse nuk krijojmë frymë ne nuk i marrim ato vota”, përfundoi deputeti.

saimir korreshi basha pd

Lini një Përgjigje