TAGS-AT E JAVËS

Politike22 Qershor 2023, 19:58

Yur Kim pritje me rastin e Pavarësisë, i mbyll derën Berishës dhe u dërgon mesazh kritikëve; Foltorja valë sulmesh

Shkruar nga Pamfleti
Yur Kim pritje me rastin e Pavarësisë, i mbyll derën
Ambasadorja Yuri Kim

Ambasadorja amerikane Yuri Kim ka mbajtur sot një pritje, duke festuar Ditën e Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara. Duke qenë se ajo do të largohet, pritja e 4 korrikut u mbajt sot.

Politikanë, gazetarë, akademikë dhe figura të njohura ishin aty. Padyshim për Sali Berishën nuk bëhej fjalë të ftohej, ndërsa i pranishëm ka qenë Basha.

Vetë ambasadorja Kim në fjalën e saj u mundua të qëndrojë larg deklaratave të forta, por megjithatë dha një mesazh për kritikët.

Kjo mund të jetë mundësia ime e fundit për të parë disa prej jush ballë për ballë, dhe unë do të doja të shfrytëzoj rastin për t’ju shprehur mirënjohjen time më të thellë për të gjithë ju për atë çka keni bërë. Jam mirënjohëse të di se secili prej jush po jep një kontribut të jashtëzakonshëm për marrëdhëniet SHBA-Shqipëri dhe për vendin tuaj. Unë mendoj se me çdo person këtu kam pasur një mosmarrëveshje apo një tjetër, me disa prej jush më shumë se me të tjerë, por unë ende besoj – ashtu si siç besoja që në fillim – është se ajo që na bashkon është shumë më e madhe se ajo që na ndan. Pra, faleminderit që jeni këtu sonte për të na u bashkuar në festë dhe ju falënderojmë për miqësinë dhe këshillat tuaja. Dhe do të shihemi në Uashington”, tha ajo.

Por mungesa e Berishës dhe prania e rivalëve të tij ka tërbuar Foltoren dhe ka bërë që zëdhënësi i saj të hidhet në sulm ndaj ambasadores. Bëhet fjalë për Alfred Lelën, i cili përmes një shkrimi sulmon ambasadoren Kim me të njëjtën gjuhë si padroni i tij, Berisha.

Sot në mbrëmje, Yuri Kim feston me të ftuarit e saj Independence Day, Ditën e Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Është 4 korriku i saj i fundit në Shqipëri dhe mungesat në festë dëshmojnë se si Ambasadorja po e jep lamtumirën. Në kremtim do të mungojnë eksponentët e lartë të opozitës reale, por do të jetë opozita e emëruar, përfshirë këtu, me gjasë, edhe ish-kryetarin e dorëhequr, më pas të rikthyer, të PD së vulës, Lulzim Basha. Ky fragmentarizim i opozitës dhe çimentim i pushtetit, do të jetë edhe trashëgimia më e zëshme e zonjës Kim në Shqipëri. Edhe pse, siç mund të thonë dashamirët e saj, ajo nuk veproi në kokë të vet, por e kishte ‘direktivë nga lart’, sërish interpretimi që i bëri kësaj direktive ishte në kufijtë e së mjerës.

Katastrofa e peizazhit, për ata që duan ta shohin, është para syve: në zgjedhjet e fundit vendore, pavarësisht një harte 'dërrmuese', u pa qartë se qeveria socialiste nuk gëzon konsensus. Zëvendësimi i këtij konsensusi popullor me gëzimin e mospjesëmarrjes në zgjedhje të shqiptarëve, është një mjerim i dytë. Nuk ka ndonjë kryeministër në Europë, senator, kongresmen apo president në ShBA, që u bën thirrje qytetarëve të mos votojnë por të rrinë në shtëpi, dhe i falënderon pas zgjedhjeve që nuk kanë dalë”, shkruan ai.

Lela po ecën në të njëjtën linjë me Berishën, i cili sot në Kuvend e sulmoi fort ambasadoren, ndonëse ajo tashmë e ka mbyllur misionin dhe po largohet.

kim ambasade

Lini një Përgjigje