
“Një farsë të shëmtuar” e ka konsideruar deputeti demokrat, Saimir Korreshi procesin që po zhvillohet për zgjedhjen e kryetarit të ri të Partisë Demokratike.
Në ‘RTSH 24’, Korreshi tha se ky proces përçan më shumë demokratët, në një kohë kur, sipas deputetit, ajo që duhet bërë është që të gjenden mënyra për bashkimin e tyre.
“Një farsë e shëmtuar që po bëjnë demokratët ndaj njëri-tjetrit. Kjo të çon të mendosh në një nxitim për të kapur partinë. Kishte 1 vit e gjysmë pa kryetar dhe po kjo Kryesi tani nxiton për mbajtjen e zgjedhjeve për kryetar. Këtu ka një hile të madhe. Kryesia nuk ngriti grupet e punës për të filluar procesin për organizim në bazë. Ne kemi kërkuar gjithë përfshirje gjatë gjithë kohës. Ne duhet të mendojmë si të bashkojmë demokratët. Nëse mendojmë si të bëhemi drejtues është absurde”, tha Korreshi.
Lidhur me kandidaturën e Lulzim Bashës për kreun e PD-së, Korreshi tha se ai nuk është alternativa e duhur. Sipas Korreshit, PD-së i nevojitet një frymë e re dhe largimi nga Basha, ish-kryeministri Sali Berisha dhe nënkryetari Enkelejd Alibeaj.
“Lidhur me kandidimin e tij, mendimi im është që as Sali Berisha, as Sali Berisha nuk duhet të kandidojnë më për të marrë drejtimin e PD, duhet frymë e re. Që të arrihet një bashkim demokratësh, duhet të hapet një proces ku të përfshihen të gjithë demokratët dhe e mira do të ishte që Basha, Berisha dhe Alibeaj tja linin demokratëve këtë post”, u shpreh Korreshi.
Zgjedhjet për kreun e PD-së do të mbahen më 29 korrik, ndërsa në garë janë Lulzim Basha dhe Gjergj Hani. Ky proces duket se e ka përçarë edhe më shumë PD-në, pasi disa deputetë, përfshirë edhe kreun e grupit parlamentar demokrat, Gazment Bardhi, kanë shprehur kundërshti.
Lini një Përgjigje