
Ilir Meta është rikthyer në skenën politike. Pas disfatës në zgjedhje ai doli nga qarkullimi, por tani ka dalë sërish në skenë. Sot ai ka sulmuar qeverinë për legalizimin e kanabisit.
Kreu i PL tha se qeveria nuk është konsultuar me BE për projektligjin për legalizimin e kanabisit mjekësor. Në një komunikim për mediat, Meta u shpreh kundër këtij vendimi dhe sipas tij qeveria dhe policia janë të lidhur së bashku.
“Me projektligjin për kanabisin qeveria detyrohet tu paguajë atyre për kontributin madhor. Kjo miratohet në një moment kur situata e trafikut të drogës ka qenë më e rëndë se kurrë ndonjëherë. Situata është e rëndë dhe kur qeveria e policia janë të kapura kokë e këmbë. Ka një dështim total në luftën kundër saj. Përfaqësues të BE konfirmojmë se qeveria nuk është konsultuar me ta për një ligj të tillë”, tha Meta.
Ndërkohë, më tej kreu i PL foli edhe për operacionin e policisë në kampin e muxhahedinëve në Manzë. Ai u shpreh se operacioni policor ishte një aksion politik dhe ka një mungesë transparence nga qeveria. Sipas tij, kemi ndryshim të sjelljes së qeverisë ndaj muxhahedinëve por arsyeja nuk dihet.
“Në vlerësimin tim keni të bëjmë me një sjellje jo transparente nga qeveria jonë, veprim politik, kemi dëgjuar se angazhimi i tyre politik në kundërshtim me statusin e tyre është një nga shkaqet që është arritur në një vlerësim se kanë bërë një shkelje të marrëveshjes me qeverinë shqiptare. Këto aktivitete janë bërë publike në Shqipëri apo edhe vende të tjera ku kanë marrë pjesë shumë përfaqësues politik nga mazhoranca dhe opozita.
Aksioni nuk i shërbeu imazhit të vendit. Vendimet e gjykatave, e dimë kush i kontrollon gjykatat e prokuroritë. Kemi ndryshim i sjelljes politike, se cila është arsyeja nuk e dimë. Qeveria jonë është e para që shkel ligjet dhe është protagoniste e dhunës”, tha ai.
Lini një Përgjigje