Vendosja e drejtorit të Elbasanit, është një shenjë e qartë se vendin e drejtojnë bandat, por edhe që fushata elektorale e vitit të ardhshëm do të menaxhohet prej tyre...
Nuk pati surprizë e ashtuquajtura fazë përzgjedhëse e kandidatit për drejtor të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit.
U “përzgjodh” ai që e dinin të gjithë, drejtori i Elbasanit Ilir Proda, i cili zhvendosi disa kohë më parë Ardian Çipën, pikërisht kur ky i fundit arrestoi Nuredin Dumanin.
Heqja e Çipës dhe emërimi i Prodës, shënoi atëherë një rikthim të statuskuosë së bandave të Elbasanit, që u frikësuan se shteti mund të marrë ofensivën.
Por siç ndodhi më pas, shteti u zbyth gjithnjë e më shumë, e ofensivën e morën bandat. Jo më kot, i gjithë seleksioni i kandidatëve ishte një proces që u zhvillua jashtë faktorë ndërkombëtarë. Madje nuk u konsideruan edhe propozimet që amerikanët bënë për të zgjedhur një drejtor që ishte trajnuar në Amerikë.
Nga ana tjetër, përjashtimi i rregullit që të marrin pjesë edhe oficerë me përvojë që sot nuk punojnë në polici, ishte një tjetër handikap.
Megjithatë gjithçka ishte procedurë teknike. E vërteta e madhe e politike, ishte se Edi Rama, e ka nisur këtë proces që me largimin e Taulant Ballës. Të cilin bandat ia bënë të ditur Kryeministrit se nuk e duan ministër sepse u frikësuan nga operacionet e policisë së shtetit në atë kohë.
Ndërkaq, dekorimi i tij në DASH, bëri që Edi Rama të mos mendohej dy herë e të përmbysë qeverinë.
Vendosja e drejtorit të Elbasanit, është një shenjë e qartë se vendin e drejtojnë bandat, por edhe që fushata elektorale e vitit të ardhshëm do të menaxhohet prej tyre.
Drejtori i ri i Policisë së Shtetit, është një kandidaturë që ka afërsi me qeverinë dhe një mosbesim të plotë dhe të thellë me aleatët. Të cilët sipas të gjitha gjasave nuk do të përcjellin informacione të klasifikuara për bandat e rrezikshme, pasi i frikësohen dekonspirimit. Siç ka ndodhur në të shkuarën. Por pikërisht kjo i leverdis Edi Ramës, për t’i bërë të ditur bandave, sidomos atyre që kryejnë funksione në Perëndim, se në zgjedhjet e 2025 duhet të luajnë duart, që të sjellin diasporën që të votojnë për Partinë Socialiste.
Por a do ta lejojnë amerikanët këtë?
Gjasat janë jo, madje edhe sinjalet e ardhura tregojnë se do të kemi një situatë të fortë përplasje, ç’ka mund të shkaktojë nisjen e madhe të luftës së Perëndimit me Edi Ramën.
Për këtë pritet të ketë disa faza; e para publikimi i lidhjeve të bandave me kupolën e policisë, deputetët, e më pas me krerë të lartë politikë. Faza e dytë është ndalimi i operacioneve të klasifikuara apo shkëmbimi i inteligjencës top sekret, dhe e treta është dalja hapur kundër, që mund të ndodhë kur në Shqipëri të vijë ambasadori i ri i SHBA. /Pamfleti
Lini një Përgjigje