
Bashkia e Tiranës ka reaguar pas akuzave të ardhura nga PD dhe kreu i saj Sali Berisha se po zhvendosen dokumente nga ambientet e institucionit. Berisha ngriti pretendimin se dosjet po lëvizen dhe po asgjësohen për shkak të hetimeve të SPAK.
“Regjimi po shkërmoqet, siç edhe ligji më i pandryshuar i diktaturave. Institucionet janë angazhuar në një përpjekje të ethshme për të zhdukur provat shkresore, dokumentet e veprimtarive të tyre kriminale. Ka 3 javë që një proces i tillë, i ethshëm, po kryhet në disa dikastere. Ajo që patë sot në Bashkinë e Tiranës është vetëm maja e ajsbergut. Ajo, ka ndodhur siç është paralajmëruar në Këshillin e Ministrave, Ministrinë e Brendshme, një përpjekje e tmerrshme e ethshme për t’u fshehur me djegie dhe grisjes dokumentesh. Siç e patë mbrëmë, qytetarët e Tiranës shprehën një shqetësim të madh, por pati edhe të tjerë që bënë humor, u inagurua ‘inceneratori i Tiranës’. Djegia në Bashkinë e Tiranës, e dokumenteve, jo vetëm të bashkisë e bënë përgjegjëse këtë bashki për një krim shumë të rëndë, jo vetëm të bashkisë, por edhe institucione të tjera”, shprehej Berisha.
Por Bashkia shprehet se dosjet po zhvendosen te arkiva dhe është proces rutinë.
“Bashkia e Tiranës po kryen një proces routinë për zhvendosjen e arkivës nga godina kryesore drejt godinës së arkivës së Bashkisë. Lajmi i publikuar si nga Sali Berisha, ashtu edhe nga mediat e tjera, është i pavërtetë”, thuhet në reagimin e bashkisë.
Lini një Përgjigje