
Kryeministri i Shqipërisë , Edi Rama , shprehu mospajtimin e tij me termin “Vorio Epir” gjatë një interviste në Mega Channel, mbrëmjen e së hënës, shkruajnë mediat greke.
“Çfarë do të thotë Vorio Epir sot? A e dini se çfarë është Vorio Epiri?”, u shpreh Rama.
Në përgjigje të një pyetjeje në lidhje me referencat në librat e shkollës shqipe për “krahinat shqiptare” në Greqi , Rama komentoi se “nëse një gjë e tillë ekziston, nuk është e drejtë sepse nuk ka rajone shqiptare në Greqi. Ka zona ku kanë jetuar shqiptarë në të kaluarën në Greqi, ashtu siç ka zona ku kanë jetuar dhe jetojnë grekë në Shqipëri".
Ai vijim ai theksoi “nëse kjo ekziston, është absolutisht e pasaktë sepse ne të gjithë çmendemi më pas dhe fillojmë të shikojmë realitetet e së kaluarës dhe minojmë të ardhmen tonë. E ardhmja jonë duhet të përcaktojë se si ne e shohim historinë. E shoh të ardhmen tonë si të përbashkët, si evropianë”.
Rama e mbylli këtë temë duke thënë “çfarë do të thotë tokë shqiptare në Greqi? Unë nuk e di këtë, ashtu siç nuk e di se çfarë do të thotë Vorio Epir".
Kur u pyet për perspektivën europiane të Shqipërisë dhe nëse ajo kalon nga Greqia, Rama u përgjigj: “Sigurisht që rruga e çdo të ardhuri kalon nga dera e çdo shteti anëtar të BE-së dhe padyshim që Greqia ka fjalën si të tjerët. Për më tepër, Greqia është më afër Shqipërisë, qoftë për mirë apo për keq. Unë dua që kjo të jetë për të mirë. Besoj se kur Shqipëria të hyjë në BE, do të jetë mirë për Greqinë, sepse së bashku do të jemi më të fortë".
Lini një Përgjigje