TAGS-AT E JAVËS

Kronike16 Prill 2026, 16:13

Përdornin teknologji të avancuar, SPAK çon në gjyq grupin e “call center”-ave; skema si mashtronin gjermanët

Shkruar nga Pamfleti
Përdornin teknologji të avancuar, SPAK çon në gjyq grupin
Foto ilustruese

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim një grup personash të akuzuar për mashtrim kompjuterik në kuadër të një organizate kriminale që operonte përmes një “call center”-i në Tiranë.

Sipas njoftimit zyrtar, procedimi penal nr. 42 i vitit 2024 është dërguar në Gjykatën e Posaçme, ndërsa në total janë tetë të pandehur. Emiljano Sejdillari dhe Sokol Krasniqi akuzohen për mashtrim kompjuterik në formën e grupit të strukturuar kriminal, ndërsa Rodrigo Guga, Eltion Logu, Tafil Dyrmishi dhe Lisjane Çulani për të njëjtat vepra në bashkëpunim në një nivel tjetër organizimi. Ndërkohë, Klejdi Nuka dhe Mateo Llozhi akuzohen për mashtrim kompjuterik në bashkëpunim.

Hetimet nisën pas një kërkese për ndihmë juridike nga Prokuroria e Përgjithshme në Karlsruhe, Gjermani, në kuadër të një procedimi penal për mashtrim të organizuar ndaj shtetasve gjermanë.

Sipas SPAK, skema e mashtrimit u evidentua pas një rasti konkret më 14 dhjetor 2023, kur një grua në Freiburg u tentua të mashtrohej për 120 mijë euro. Ndërhyrja e policisë gjermane bëri të mundur parandalimin e transferimit të shumës, ndërsa më pas hetimet zbuluan një aktivitet të gjerë kriminal me qindra mijëra telefonata mashtruese.

Autorët përdornin teknologji të avancuara për të fshehur identitetin, përfshirë aplikacione për falsifikimin e numrit të telefonit (“Caller ID spoofing”), shërbime “Voice over IP” dhe rrjete anonimizuese si VPN. Nga analizat teknike u identifikuan lidhje me adresa IP që rezultonin të lidhura edhe me kompani interneti në Shqipëri.

Në vijim të hetimeve, autoritetet shqiptare identifikuan një qendër thirrjesh në rrugën “Hamdi Sina” në Tiranë. Gjatë një operacioni të zhvilluar më 18 prill 2024, u ushtrua kontroll në ambientet e “call center”-it, ku u shoqëruan disa persona dhe u sekuestruan prova të shumta materiale dhe digjitale.

Nga hetimet rezultoi se grupi operonte në mënyrë të strukturuar për të mashtruar shtetas gjermanë, ndërsa aktiviteti zhvillohej përmes një subjekti të paregjistruar në organet tatimore.

Gjykata e Posaçme, me vendim të korrikut 2025, caktoi masat e sigurimit “arrest në burg” për pesë persona dhe “arrest në shtëpi” për tre të tjerë. Po ashtu, një prej të hetuarve është ekstraduar nga Gjermania drejt Shqipërisë.

Sipas SPAK, dëmi i dokumentuar nga aktiviteti kriminal arrin në 363,501 euro për 14 viktima, ndërsa një numër i madh tentativash mashtrimi është parandaluar falë ndërhyrjes së autoriteteve gjermane, të cilat kanë kontaktuar viktimat menjëherë pas telefonatave.

Prokuroria e Posaçme thekson se fenomeni i mashtrimeve online përmes “call center”-ave mbetet një prioritet në luftën kundër krimit të organizuar, duke paralajmëruar vijimin e goditjeve në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë.

spak call center

Lini një Përgjigje