
Gjykata e Tiranës ka lënë në qeli 5 nga të arrestuarit lidhur me një operacion të Prokurorisë së Tiranës kundër disa call center-ave që dyshohet se kanë kryer mashtrime në vlerën 50 milionë euro të qytetarëve europianë.
Në seancën e vlerësimit të masave të sigurisë, Gjykata ka lënë në qeli shtetasit Eduart Dalla, Tedi Agastra, Mateo Hoxha, Xhoel Mekolli dhe Ledio Toçi.
Ndërkohë, për Aida Voklin, bashkëshorten e Ledio Toçit, gjykata ka caktuar masën “detyrim për paraqitje” dhe “ndalim për të dalë jashtë shtetit”.
Disa nga personat ende nuk janë arrestuar nga Policia, ndërsa Gjykata caktoi në mungesë masën e sigurisë arrest me burg për Xhoni Hitaj dhe Marsel Lami, ndërsa për Ledio Cenaj është caktuar masa “detyrim për paraqitje” dhe “ndalim për të dalë jashtë shtetit”.
Më herët, Prokuroria e Tiranës, përmes një njoftimi zyrtar bëri të ditur edhe skemën se si operonin këto call center-a.
Këta persona në bashkëpunim me njëri-tjetrin ndaheshin në grupe të ndryshme sipas gjuhëve (gjermanisht, anglisht, italisht) dhe synonin tregje të caktuara ndërkombëtare. Çdo grup përbëhej nga 6-8 agjentë dhe mbikëqyrej nga drejtuesi që i monitoronte. Puna e personave që zotëronin gjuhën Italiane, konsistonte në kryerjen e telefonatave të qytetarëve Italianë ku i ofronin shërbimin e rekuperimit të parave, të cilat i kanë humbur në investime të mëparëshme në ‘trading online’ dhe në rast se personat ishin të interesuar, i udhëzonin më pas të hapnin një llogari në “Coin Baze”, me depozitim fillestar 500 Euro.
Në vijim, sqarohet se detyra e operatorëve ishte vetëm të bindnin klientët për të bërë pagesën fillestare prej 500 Euro dhe paga mujore e tyre ka qenë rreth 800 euro, të cilën një pjesë e merrnin në dorë dhe pjesën tjetër në bankë.
Secili prej punonjësve kishte username dhe vepronin me pseudonime.
Lini një Përgjigje