
Dy shqiptarë janë arrestuar në Itali, pasi dyshohet se kishin përshtatur një magazinë në një serë të madhe kanabisi me rreth 1920 bimë.
Operacioni policor u zhvillua mes provincave të Monzës dhe Bergamos, në kuadër të një hetimi të gjatë për trafik droge brenda dhe jashtë Italisë. Në qendër të hetimeve ishte një 43-vjeçar shqiptar, i dyshuar si pjesë e një rrjeti të strukturuar kriminal që merrej me shpërndarjen e kokainës dhe marijuanës.
Kontrolli fillestar u ushtrua në banesën e tij në Brugherio, ku në një ambient të përshtatur si depo u sekuestruan mbi 7 kilogramë marijuanë të ndara në pako, të gatshme për shitje. Ky zbulim çoi hetuesit drejt një piste tjetër, që lidhej me një magazinë të marrë me qira nga i njëjti person në zonën e Ubiale Clanezzo, në Bergamo.
Gjatë kontrollit në këtë ambient, policia zbuloi edhe 28 kilogramë marijuanë, një pjesë e paketuar në thasë dhe pjesa tjetër në proces tharjeje dhe përgatitjeje për treg.
Në katin e poshtëm të magazinës u zbulua pjesa më e madhe e aktivitetit kriminal, ku ishin ngritur dy ambiente të pajisura si sera profesionale, me sisteme ndriçimi, ventilimi, ujitjeje dhe kontrolli të lagështisë. Në total, aty u gjetën 1920 bimë kanabisi të kultivuara në kushte të kontrolluara.
Gjatë operacionit, në një hapësirë të përdorur si vendqëndrim i përkohshëm, u gjet edhe një tjetër shqiptar, 40 vjeç, pa leje qëndrimi në Itali. Sipas hetimeve, ai dyshohet se ishte bashkëpunëtori kryesor i 43-vjeçarit, i angazhuar në mirëmbajtjen e magazinës dhe në procesin e kultivimit dhe përpunimit të lëndës narkotike.
Të dy u arrestuan në flagrancë dhe akuzohen për prodhim dhe posedim të drogës me qëllim shpërndarjen. Në vendngjarje u sekuestruan gjithashtu pajisje të ndryshme të përdorura për kultivimin dhe paketimin e kanabisit, përfshirë llamba ngrohëse, plehra kimike dhe materiale ambalazhimi.
Autoritetet italiane vijojnë hetimet për të zbuluar lidhjet e mundshme të këtij aktiviteti me rrjete të tjera të trafikut ndërkombëtar të drogës.
Lini një Përgjigje