TAGS-AT E JAVËS

Kronike16 Prill 2026, 12:52

Morën peng biznesmenin në Tiranë për 2 mln euro, lihen në burg 3 autorët

Shkruar nga Pamfleti
Morën peng biznesmenin në Tiranë për 2 mln euro, lihen
Jurgen Neza, një prej pengmarrësve dhe Florian Sula që u mor peng

Gjykata e Tiranës ka lënë në burg 3 të arrestuarit për rrëmbimin e biznesmenit në Tiranë.

Gjykata e Tiranës ka vendosur masën e sigurisë “arrest në burg” për Jurgen dhe Kevin Neza, si dhe për kushëririn e tyre Hysen Neza, të akuzuar për rrëmbimin e ndërtuesit Florian Sula disa ditë më parë.

Të tre të dyshuarit nuk kanë dhënë deklarime gjatë seancës gjyqësore, ndërsa përfaqësuesi i tyre ligjor ka kundërshtuar akuzat, duke pretenduar se nuk bëhet fjalë për pengmarrje. Sipas mbrojtjes, Sula u mor në automjet për një sqarim lidhur me një borxh prej 60 milionë lekësh që ai u detyrohej.

Avokati shtoi se, pasi konstatuan pamundësinë financiare të Sulës për të shlyer shumën, ata e kanë lënë të lirë. Gjithashtu, u pretendua se njëri prej të arrestuarve është vetëdorëzuar, ndërsa dy të tjerët ndodheshin në gjendje të rënduar psikologjike dhe nën ndikimin e lëndëve narkotike, pa u paraqitur prova për këto pretendime.

Sipas hetimeve paraprake, tre të rinjtë janë prezantuar si agjentë të BKH-së për të mashtruar viktimën, duke e mbajtur për disa orë në një ambient privat.

Ngjarja dyshohet të ketë ndodhur më 31 mars, kur ata e kanë marrë me forcë, e kanë dhunuar dhe i kanë kërkuar 2 milionë euro në këmbim të lirimit. Sipas hetimeve, Sula ka premtuar një shumë prej 500 mijë eurosh, por pas lirimit ka bërë kallëzim në polici.

Lini një Përgjigje