TAGS-AT E JAVËS

Kronike16 Prill 2026, 14:03

Hetimet për ’21 Janarin’/ I zhgënjyer nga SPAK, Mark Nika kërkon ndihmën e socialistëve në Kuvend

Shkruar nga Pamfleti
Hetimet për ’21 Janarin’/ I zhgënjyer nga SPAK, Mark Nika
Mark Nika

Prej dy vitesh SPAK po heton mbi dosjen e 21 Janarit të 2011, pas një vendimi të Strasburgut dhe Gjykatës së Lartë, ndërsa pak javë më parë në Prokurorinë e Posaçme u depozitua edhe një audio, përmes së cilës pretendohet se janë të regjistruara urdhërat e vrasjeve gjatë protestës së thirrur nga opozita e asaj kohe.

Por duket se Mark Nika, xhaxhai i Aleks Nikës, një prej 4 protestuesve që mbeti i vrarë në bulevard, ka mbetur i zhgënjyer nga SPAK, ndërsa i është drejtuar Grupit Parlamentar të PS-së, për të kërkuar ndihmë.

Mark Nika është paraqitur më parë në SPAK ku është marrë në pyetje, por sot shprehet se ka një mungesë vullneti në Prokurorinë e Posaçme për të avancuar me hetimet.

Sipas Report Tv, Mark Nika i ka kërkuar Taulant Ballës, kreut të Grupit të PS-së, ndihmën e Kuvendit për të ndikuar në SPAK për përshpejtim të hetimeve.

Madje Nika pret që Kuvendi të miratojë një rezolutë që ti bëhet thirrje SPAK për të zbardhur krimin e rëndë shtetëror. Sipas tij, nuk po zbatohen kërkesat e Gjykatës së Strasburgut dhe të Gjykatës së Lartë që e urdhëruan zbardhjen e rolit të zinxhirit komandues të gardës, përfshi ish Kryeministrin Berisha, në këto vrasje.

Kuvendi ka detyrimin të ndërhyjë mësohet të ketë thënë Mark Nika, edhe për faktin se është i vetmi institucion që mbikëqyr SPAK në zbatimin e vendimeve të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut.

Tre javë me parë Mark Nika pati një takim edhe me kryeprokurorin e SPAK Klodian Braho, të cilët ia tha në zyrë se çështja është duke u zvarritur dhe se ende sot pas 15 vitesh nuk janë thërritur as për tu pyetur të gjithë personat që kanë dijeni.

SPAK po heton 4 vrasjet e protestuesve në bulevard prej gati 2 vitesh, që prej 15 korrikut 2024 kur regjistroi çështjen pasi Gjykata e Lartë urdhëroi nisjen e hetimeve.

Që nga ai momenti SPAK ka marrë në pyetje një sërë ish-zyrtarësh të lartë të shtetit që ishin në detyrë në kohën e ngjarjes. Para prokurorëve janë paraqitur ish-presidenti Bamir Topi, ish-ministri i Brendshëm Lulzim Basha, si dhe ish-presidenti Ilir Meta, i cili është marrë në pyetje me kërkesë të tij. Ish-kryeministri Sali Berisha, po ashtu, pas një përpjekje të dështuar për të zvarritur dëshminë e tij, u paraqit në SPAK më 19 nëntor të vitit të kaluar. Që prej atij momenti asnjë zhvillim i ri nuk është komunikuar nga Prokuroria e Posaçme.

 

Lini një Përgjigje