TAGS-AT E JAVËS

Kronike16 Prill 2026, 13:45

Goditja e "Call Center"-ave, Prokuroria e Tiranës zbardh skemën: 50 milionë euro zhvatje qytetarëve të BE

Shkruar nga Pamfleti

Goditja e "Call Center"-ave, Prokuroria e Tiranës zbardh

Prokuroria e Tiranës ka dalë në njoftim zyrtar në lidhje me skemën mashtruese përmes call center në Tiranë, duke përfituar mbi 50 milionë euro. 

Një operacion i gjerë i zhvilluar nga Prokuroria e Tiranës, në bashkëpunim me autoritetet austriake dhe me mbështetjen e Eurojust dhe Europol, ka çuar në goditjen e disa call center-ave të dyshuar për mashtrim kompjuterik në kryeqytet.

Si rezultat i këtij aksioni, gjykata ka caktuar masën “arrest me burg” për 7 persona, ndërsa për 2 shtetas janë vendosur masa më të lehta sigurie. Po ashtu, 5 persona janë arrestuar në flagrancë gjatë ushtrimit të aktivitetit të paligjshëm.

Hetimet, të cilat kanë zgjatur rreth dy vite, zbuluan një skemë të organizuar mashtrimi që synonte qytetarë të vendeve të Bashkimit Europian, duke u shkaktuar atyre humbje të konsiderueshme financiare.

Sipas dosjes hetimore, personat e përfshirë operonin në grupe të ndara sipas gjuhëve të huaja dhe synonin tregje të ndryshme ndërkombëtare. Ata kontaktonin viktimat duke u premtuar rikuperimin e parave të humbura në investime online dhe i bindnin të kryenin depozita fillestare, zakonisht rreth 500 euro.

Struktura e call center-ave ishte e organizuar në mënyrë hierarkike, me role të përcaktuara dhe mbikëqyrje të vazhdueshme, duke funksionuar si një biznes i mirëfilltë. Hetuesit dyshojnë se aktiviteti ka gjeneruar përfitime të paligjshme që tejkalojnë 50 milionë euro.

Viktimat tërhiqeshin shpesh përmes reklamave të rreme që përdornin figura publike, ndërsa një pjesë e parave dyshohet se është transferuar përmes kriptomonedhave për të fshehur gjurmët.

Gjatë kontrolleve të ushtruara në subjektet e përfshira, autoritetet sekuestruan një sasi të konsiderueshme parash dhe pajisjesh elektronike, përfshirë qindra kompjuterë dhe telefona.

Hetimet vijojnë për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë rrjet të dyshuar mashtrimi ndërkombëtar.

Njoftimi i Prokurorisë:

Në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë, në bashkëpunim me autoritetet austriake, mbështetjen e Eurojust, EUROPOL dhe drejtorinë e Hetimit të Krimit Kibernetik në Policinë e Shtetit, u bë e mundur goditja e disa call-center-ave në Tiranë, që çuan në dhënien e masave të sigurimit ‘Arrest me burg’ për 7 persona, “Ndalim i daljes jashtë shtetit” dhe “Detyrim për paraqitje në policinë gjyqësore” për 2 shtetas, dhe u arrestuan në flagrancë, në kushtet e ushtrimit të aktivitetit të paligjshëm, 5 persona.

Në vijim të hetimeve 2-vjeçare mbi procedimin penal nr.3377 për veprën penale “Mashtrimi kompjuterik”, parashikuar nga neni 143/b, parag. II, i Kodit Penal, ndaj shtetasve E.D., M.H., T.A., L.T., Xh.M., M.L., Xh.H., A.B., L.C., K.D., E.H., E.T., B.B., K.B., K.Sh dhe A.K., rezultoi se pas informacioneve të marra nga autoritetet Austriake, këta shtetas mashtronin nëpërmjet aktivitetit të call-center-ave shtetas të ndryshëm të vendeve të Bashkimit Europian duke ju shkaktuar humbje të mëdha financiare.

Këta persona në bashkëpunim me njëri-tjetrin ndaheshin në grupe të ndryshme sipas gjuhëve (gjermanisht, anglisht, italisht) dhe synonin tregje të caktuara ndërkombëtare. Çdo grup përbëhej nga 6-8 agjentë dhe mbikëqyrej nga drejtuesi që i monitoronte. Puna e personave që zotëronin gjuhën Italiane, konsistonte në kryerjen e telefonatave të qytetarëve Italianë ku i ofronin shërbimin e rekuperimit të parave, të cilat i kanë humbur në investime të mëparëshme në ‘trading online’ dhe në rast se personat ishin të interesuar, i udhëzonin më pas të hapnin një llogari në “Coin Baze”, me depozitim fillestar 500 Euro. Detyra e operatorëve ishte vetëm të bindnin klientët për të bërë pagesën fillestare prej 500 Euro dhe paga mujore e tyre ka qenë rreth 800 euro, të cilën një pjesë e merrnin në dorë dhe pjesën tjetër në bankë. Secili prej punonjësve kishte username dhe vepronin me pseudonime.

Këto call-center-a funksiononin me një nivel të lartë organizimi, ndarje të qartë të detyrave dhe kontroll hierarkik, duke i ngjarë strukturave të bizneseve legjitime. Ky organizim profesional mundësonte mashtrime në shkallë të gjerë, ndërkufitare dhe dyshohet se kanë kryer mashtrim me shuma të mëdha në Vjenë dhe qytete të tjera në Austri nga periudha 15 qershor 2023 deri më 30 korrik 2024.

Personat e mësipërm dyshohet se kanë nxitur qytetarët e dëmtuar, nëpërmjet paraqitjes së rrethanave të rreme, për të besuar se shumat e transferuara do të investoheshin realisht. Si pasojë e këtyre veprimeve të kundërligjshme, autorët kanë përfituar në mënyrë të padrejtë, për vete ose për llogari të personave të tretë, pasi të dëmtuarit, për shkak të mashtrimit, kanë transferuar shuma të konsiderueshme parash, të cilat në total vlerësohet se tejkalojnë shumën prej 50 milionë euro.

Të dëmtuarit zakonisht hyjnë në këto platforma mashtruese përmes një reklame të rreme të një personazhi të famshëm. Prokuroria identifikoi se shtetasit T.A. dhe M.H., gjatë vitit 2024 kanë marrë vlera të konsiderueshme në adresa Kripto dhe më pas i kanë transferuar në adresa të tjera Kripto. Këta dy shtetas janë përfitues fundor të kriptovalutave të këtyre Call Centerave.

Skuadra e përbashkët hetimore e krijuar në shtator 2025, midis Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë dhe Prokurorisë së Vjenës, arriti të dokumentojë transaksionet e kryera në dëm të shtetasve austriakë të dëmtuar. Nga hetimet rezultoi se subjektet, “IOTA Network”, “Victory Communication”, “Espiron Studio”, “Zeta Studio”, “Upstream creative” dhe “Koppa Network” janë të lidhur me njëri-tjetrin si nga numri i telefonit i lënë në QKB, adresat e e-mailit dhe adresat e ushtrimit të aktiviteteve dhe në pjesën më të madhe dyshohet se janë fiktive dhe kanë operuar si call-center-a. Hetimet vijojnë për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këto skema mashtruese.

Me kërkesë të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë gjatë kontrolleve në subjektet e mësipërme u sekuestruan:

891,735 euro;

443 kompjuterë;

238 telefona celularë;

6 laptop; dhe

HDD, DVR.

Gjykata e Tiranës ka lënë në burg 4 prej të arrestuarve për skemën e mashtrimit me Call Center. Ata dolën sot pata trupës gjykuese, për tu njohur me masat e sigurisë, ndërkohë që për një prej tyre, Aida Vogli u la në fuqi masa e "detyrim paraqitje".

U vendos "arrest me burg" për: Eduart Dalla, Mateo Hoxha, Tedi Agastra dhe Xhoel Mekolli.

Ndërkohë, për 5 të arrestuarit në flagrancë, seanca për vlerësimin e masës së sigurisë do mbahet ditën e nesërme.

Të arrestuarit në flagrancë janë: Kristjan Buda, Benard Biba, Kleidi Dyrma, Ema Taip dhe Eno Hana.

2 Komente

  1. G
    Grei

    Bravo prokurore Rovena !Luaneshe trime! Lart e me lart !drejtuesit e policus drejtora gjykates te korruptuar deputet te lidhur me kriminelt duhet pastruar kta mbeturina nga drejtesia shqiptare ,Shqiptaret meritojne njerez me integritet si prokurore Rovena krenari per vendin

    1. N
      Noku

      Kta qe bejn ket pune jan budallenj.punojn per cifutet dhe per tpagu policin e korruptuar dhe ne fund bejn dhe burgun kur leket i han politika e qelbur.Rrezikon shume gjera per asgje.Punoni me djerse o njerez ,haramin se gzoj dot as pablo escobar qe kishte lek sa trefishi i shtetit kolumbian

      Lini një Përgjigje