TAGS-AT E JAVËS

Kronike20 Prill 2026, 12:18

Mashtrimet me ‘call center’/ GJKKO le në qeli David Prendin, të arrestuarin nga SPAK

Shkruar nga Pamfleti
Mashtrimet me ‘call center’/ GJKKO le në qeli David Prendin,
Pamje nga operacioni i SPAK

David Prendi, i arrestuar pas një operacioni të drejtuar nga SPAK, lidhur me një hetim mbi mashtrimet ndaj qytetarëve europianë përmes një rrjeti call center-ash që operojnë në Shqipëri, do të qëndrojë në qeli. Kjo u vendos nga GJKKO, e cila gjatë një seance për rivlerësimin e masës së sigurisë, vendosi të lerë në fuqi ‘arrestin me burg’ për Prendin.

Prendi i shpëtoi aksionit të parë të policisë, ndërsa u shpall në kërkim nga SPAK, por u arrestua disa ditë më operacionit, që u shtri në ambientet ku operonin call center-at.

Sipas SPAK, aktiviteti që ushtrohej nga Tirana, por që “peshkonte” qytetarë europianë, drejtohej nga vëllezërit Agim Prekaj, Alfred Prekaj dhe Arjan Prekaj. Hetimet nisën pas një denoncimi të bërë nga mediat italiane, më konkretisht nga emisioni “Le Iene”, që investigoi mënyrën se si operohej jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Itali, madje duke zbuluar edhe përfshirjen e një zyrtari të policisë italiane.

Nga videot e filmuara nga gazetari italian i “Le Iene” që ishte i infiltruar si punonjës në këtë call center, pikërisht në zyrat e vendosura në katin e 9-të dhe të 13-të të një prej kullave në Tiranë, shihet se është një qendër e mirëorganizuar e thirrjeve telefonike, me poste pune të ndara, role të përcaktuara dhe staf që operonte në gjuhën italiane, franceze, spanjolle dhe gjermane.

Sipas SPAK organizatorët kishin ngritur një strukturë të sofistikuar sigurie, me disa perimetra mbrojtës, duke përdorur jo vetëm kamerat filmike statike, por edhe personel civil vëzhgimi, jashtë kësaj Qendre.

Operacioni u zhvillua në datën 15 dhe 16 janar, por pa mundur të gjejë pajisjet në zyrat e Call Center, që duket se ishin lëvizur më parë. Kjo ngriti dyshime se operacioni mund të ishte dekonspiruar.

Por nga hetimet, BKH ka identifikuar mjetet që kanë larguar kompjuterat dhe pajisjet e tjera të Call Centerit. Pas gjurmimit të tyre, në një kohë të shkurtër, u realizua kapja në flagrancë e disa personave, kryesisht transportues, që kishin lëvizur pajisjet nga vendi ku ndodheshin në një ambient tjetër të marrë me qira në një tjetër kullë. Me iniciativën e tyre hetuesit janë ngjitur menjëherë në katin e pestë të kësaj kulle, ku kanë gjetur një tjetër “Call Center”, në ndërtim e sipër.

Nga operacioni u arrestuan Remir Gjoligaj, Endri Gjata, David Qerimi, Elis Merkaj, Rentjan Peposhi, Odeas Kuqi, që u kapën në flagrancë dhe më pas ndalimi i dy të tjerëve, që dyshohen si punonjës të call centerit dhe akuzohen për mashtrim kompjuterik.

Një ditë më pas, më 17 janar, janë lëshuar edhe urdhrat e ndalimit për tre vëllezërit Agim Prekaj, Alfred Prekaj dhe Arjan Prekaj, si organizatorë, që vijojnë të jenë në kërkim.

Lini një Përgjigje