TAGS-AT E JAVËS

Kronike 3 Qershor 2026, 20:58

200 mln dollarë të pista dhe lidhje me mafien shqiptare, Ekuadori lëshon urdhër-arrest për “Odinin”

Shkruar nga Pamfleti

200 mln dollarë të pista dhe lidhje me mafien shqiptare, Ekuadori

Një nga dosjet më të bujshme të viteve të fundit në Ekuador, e njohur si “Euro 2024”, ka rikthyer në qendër të vëmendjes emrin e Danny N., i njohur si “Odini”, të cilin autoritetet e lidhin me një rrjet kriminal transnacional të përfshirë në pastrim parash dhe trafik droge.

Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm në Ekuador ka ngritur zyrtarisht akuza ndaj Danny N. dhe partneres së tij, Nathalie B., për veprën penale të pastrimit të parave. Të dy rezultojnë në kërkim, ndërsa ndaj tyre janë lëshuar urdhër-arreste dhe masa paraburgimi që prej 2 qershorit.

Vendimi u mor nga Kompleksi Gjyqësor Verior në Kuito gjatë një seance ku gjykata vendosi t’i lidhë zyrtarisht të dyshuarit me dosjen “Euro 2024”, e cila heton aktivitetin e një organizate kriminale që operonte në disa shtete.

Sipas hetimeve, rrjeti drejtohej nga shtetasi serb Jezdimir Srdan, i cili në nëntor të vitit 2025 u dënua me 10 vite burg. Autoritetet pretendojnë se Danny N. kishte një rol kyç në funksionimin e organizatës, duke shërbyer si mbështetës logjistik dhe financiar.

Skema e dyshuar kriminale bazohej në përdorimin e kompanive fiktive për të futur në sistemin financiar ekuadorian para të përfituara nga trafiku ndërkombëtar i kokainës. Sipas Ministrisë së Brendshme të Ekuadorit, organizata dyshohet se ka qarkulluar rreth 200 milionë dollarë përmes aktiviteteve të paligjshme të lidhura me dërgesat e drogës drejt Evropës.

Autoritetet pretendojnë se droga transportohej përmes kontejnerëve të kontaminuar në porte, ndërsa fitimet më pas legalizoheshin përmes strukturave financiare dhe bizneseve të ngritura për këtë qëllim.

Pas zhvillimeve të fundit, gjykata urdhëroi ngrirjen e llogarive bankare të të dyshuarve, sekuestrimin e tre pasurive dhe vendosjen nën administrim të kompanisë Petro Logic.

Ndërkohë, Danny N. vijon të jetë në arrati. Sipas dosjes, ai kishte përfituar më herët nga një vendim gjyqësor që i mundësoi lirimin, por ky vendim u rrëzua më vonë nga instancat më të larta. Për këtë arsye, gjyqtari që kishte urdhëruar lirimin u shkarkua nga detyra më 15 prill 2026.

Që prej revokimit të vendimit, autoritetet nuk kanë arritur ta lokalizojnë të dyshuarin, ndërsa procedurat e reja kanë sjellë lëshimin e një urdhër-arresti të ri ndaj tij.

Lini një Përgjigje