TAGS-AT E JAVËS

Kronike 3 Qershor 2026, 18:15

Policia zbardh tragjedinë te "Rana e Hedhun": Dallgët përfshinë 5 shtetas nga Kosova, dy humbën jetën

Shkruar nga Pamfleti

Policia zbardh tragjedinë te "Rana e Hedhun": Dallgët

Policia ka zbardhur ngjarjen tragjike të ndodhur pasditen e sotme në zonën e "Ranës së Hedhun", në Shëngjin, ku dy shtetas nga Kosova humbën jetën, ndërsa tre të tjerë përfunduan në spital.

Sipas Policisë, alarmi u dha rreth orës 16:30, kur u raportua se disa persona që kishin hyrë në det për t’u larë ndodheshin në vështirësi dhe nuk po arrinin të dilnin në breg për shkak të motit të keq dhe dallgëve të krijuara nga era e fortë.

Në ndihmë të tyre u angazhuan menjëherë shërbimet e Policisë Kufitare, efektivët e Policisë së Lezhës dhe ekipet e emergjencës. Një rol të rëndësishëm në operacionin e shpëtimit luajtën edhe qytetarë që ndërhynë me Jet Ski, duke bashkëpunuar me forcat e rendit.

Falë ndërhyrjes së shpejtë, pesë shtetasit nga Kosova u nxorën nga deti dhe u dërguan me urgjencë në Spitalin Rajonal të Lezhës.

Sipas informacionit paraprak të mjekëve, fatkeqësisht dy prej tyre kanë humbur jetën, ndërsa tre të tjerët vijojnë të marrin trajtim mjekësor.

"Rreth orës 16:30, shërbimet e Policisë kanë marrë njoftim se në zonën e Ranës së Hedhun, në Shëngjin, disa shtetas që ishin futur në det për t’u larë, si pasojë e dallgëve të shkaktuara nga era e fortë, ndodheshin në vështirësi dhe rrezikonin të mbyteshin.

Menjëherë pas marrjes së njoftimit, në adresën e dhënë kanë shkuar shërbimet e Policisë Kufitare, shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë, si dhe ato të emergjencës.

Falë reagimit të menjëhershëm të qytetarëve me Jet Ski, në bashkëpunim me shërbimet e Policisë, u bë e mundur nxjerrja nga deti e 5 shtetasve nga Kosova, të cilët u transportuan me urgjencë në Spitalin Rajonal Lezhë për marrjen e ndihmës mjekësore.

Sipas informacionit paraprak nga Urgjenca e Spitalit Rajonal Lezhë, 2 prej shtetasve kanë humbur jetën, ndërsa 3 shtetasit e tjerë po marrin ndihmë mjekësore.

Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon veprimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes", thuhet në njoftimin e policisë.

Lini një Përgjigje