
Policia ka zbardhur detaje lidhur me plagosjen e dy personave në Përmet, ngjarje e ndodhur mesditën e kësaj të mërkure në fshatin Grabovë.
Sipas informacioneve paraprake, dy shtetas, një 38-vjeçar dhe një 53-vjeçar, janë dëmtuar aksidentalisht nga shpërthimi i një lënde plasëse të mbetur nga periudha të mëparshme, e cila dyshohet të ketë qenë një bombë e vjetër.
Ngjarja ka ndodhur teksa të dy po kryenin punime në murin e një banese të vjetër në fshatin Grabovë të Përmetit. Pas shpërthimit, të plagosurit janë dërguar fillimisht në Spitalin e Përmetit për ndihmë mjekësore dhe më pas janë transportuar në Spitalin Rajonal të Gjirokastrës për trajtim të specializuar.
Sipas policisë, ata ndodhen në kujdesin e mjekëve, ndërsa grupi hetimor vijon veprimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të rastit.
Bëhet me dije se Ervis Bregu, 38-vjeçari që mbeti i plagosur rëndë pas shpërthimit, ka mbërritur me helikopter në Tiranë për trajtim më të avancuar mjekësor.
“Rreth orës 13:00, janë dërguar për ndihmë mjekësore në Spitalin e Përmetit shtetasit E. B., 38 vjeç, dhe M. K., 53 vjeç, të dy banues në Përmet.
Nga veprimet e para hetimore dyshohet se ata janë dëmtuar aksidentalisht nga shpërthimi i një lënde plasëse të mbetur nga periudha të mëparshme (dyshohet bombë e vjetër), gjatë kryerjes së punimeve në murin e një banese të vjetër në fshatin Grabovë, Përmet.
Të dëmtuarit janë transportuar për mjekim të specializuar në Spitalin Rajonal Gjirokastër dhe ndodhen në kujdesin e mjekëve.
Grupi hetimor vijon punën për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të rrethanave të rastit”, thuhet në njoftimin e policisë.
Lini një Përgjigje