TAGS-AT E JAVËS

Editorial 6 Qershor 2026, 14:35

Pse Edi Rama po kërkon të fshihet pas Zvërnecit?

Shkruar nga Pamfleti
Pse Edi Rama po kërkon të fshihet pas Zvërnecit?
Edi Rama /

Ndërsa protesta ka dalë prej kohësh nga kufijtë e Zvërnecit dhe është kthyer në një revoltë kundër pushtetit, kryeministri po kërkon mbrojtje në Uashington, ndërsa presioni politik po rritet nga Berlini, Parisi dhe vetë radhët e mazhorancës...

Tashmë është bërë e qartë se lëvizja e fuqishme qytetare që po proteston prej një jave është një valë reale kundër qeverisë së Edi Ramës.

Ajo u nxit ose përdori si shkëndijë çështjen e Zvërnecit, ku dhuna dhe arroganca e pushtetit arritën kulmin. Por me kalimin e ditëve është shndërruar në një protestë të vërtetë kundër pushtetit dhe kastës aktuale politike.

Një protestë që duket hapur se gëzon mbështetje të konsiderueshme nga Perëndimi, veçanërisht nga vendet më të fuqishme të Europës, duke nisur nga Gjermania dhe Franca.

Ndërkohë, Edi Rama, duke e kuptuar qartë se kush është kundërshtari i tij real, po përpiqet të fshihet dhe të krijojë përshtypje në Shtëpinë e Bardhë, për ta përdorur atë si mburojë ndaj presionit që po i vjen nga bota perëndimore dhe nga vetë qytetarët e tij.

Nxjerrja e kartës iraniane është pikërisht një lojë e menduar për të tërhequr vëmendjen dhe sensibilitetin e Presidentit të SHBA-së, duke krijuar idenë se ndodhen në të njëjtën llogore përballë të njëjtit armik.

Në realitet, Irani po e përdor çështjen e Zvërnecit për propagandën e vet, por objektivi i tij nuk është Shqipëria. Objektivi është Donald Trump, të cilin Teherani e konsideron kundërshtar në konfliktin e tij me Perëndimin.

Përtej propagandës iraniane, protesta dhe lëvizja që ka lindur prej saj nuk kanë asgjë anti-amerikane dhe as antiperëndimore.

Pavarësisht se mund të ekzistojnë segmente apo grupe që përpiqen të përfitojnë prej saj.

Edi Rama, si kryeministër dhe drejtues i një mazhorance që pretendon se ka 83 mandate, mund ta mbronte investimin në Zvërnec përmes mjeteve kushtetuese dhe ligjore, pa e kthyer atë në instrument propagande.

Madje mund të kërkonte edhe referendum për çështjen, ose të hapte transparencë të plotë për të bindur qytetarët.

Por me mënyrën se si po e përdor politikisht projektin e Zvërnecit, ai po e dëmton vetë investimin dhe aktorët që janë përfshirë në të, vetëm për të fituar kohë ose për të shpëtuar politikisht.

E vërteta është se Rama ndodhet në një situatë shahu politik.

I rrethuar nga kundërshtarët, nga një pjesë e të vetëve, nga qytetarët dhe nga Perëndimi.

Dhe çdo lëvizje për të dalë nga ky rrethim rrezikon ta dëmtojë edhe më shumë.

Siç po shihet qartë, edhe brenda mazhorancës po dalin gjithnjë e më shumë zëra kritikë ndaj Edi Ramës.

Pamfleti i Elisa Spiropalit ishte një qëndrim i fortë politik, i cili sipas të gjitha gjasave nuk qëndron vetëm mbi vullnetin personal të saj, por ka mbështetje edhe brenda mazhorancës, edhe në qarqe diplomatike e politike ndërkombëtare.

Edi Rama po përpiqet të nxisë Donald Trumpin që ta mbrojë nga rrethimi që po i bëhet.

Por deri tani nuk ka marrë asnjë përgjigje.

Ndërkohë, biseda e shkurtër me kancelarin gjerman Friedrich Merz në Tivat ishte e vakët, po aq sa edhe fotografia që ai publikoi më pas në rrjetet sociale.

Mjafton të ndjekësh mediat gjermane, duke nisur nga Deutsche Welle në shqip dhe të tjerat, për të kuptuar forcën e sinjalit që po vjen nga Europa.

Në fund, Edi Rama duket se ka vetëm një rrugëdalje.

Zgjidhjen politike.

Një zgjidhje që lidhet drejtpërdrejt me fatin e tij politik.

Dhe sa më pak traumatike të jetë ajo, aq më mirë do të jetë për vendin, për rrugën europiane të Shqipërisë, por edhe për vetë projektin e Zvërnecit./Pamfleti

pse edi rama kërkon të fshihet pas zvërnecit

2 Komente

  1. L
    Lushi

    Projekti i Zvërnecit vdiq! Sepse ata që e kanë përfituar po diskreditohen si persona që po hedhin 4 miliard euro në një aferë pa projekt,pa siguri ligjore mbi pronësinë e tokës dhe bazuar në më shumë sesa dhjetë gënjeshtra nga pala shqiptare. Kështu rezultojnë pastrues parash të zeza jo investitorë seriozë. Ata ndryshe nga Rama emrin e tyre e kanë më të rëndësishëm sesa paratë

    1. E
      Emigranti 1991

      Sazani eshte historia e gjakut të shqiptareve perzier me beton. Kush dhe sa jete e lek kushtoi ajo baze ushtarake?! Si mund te luash ruletë. Po na ban Open albania, open vlora, do dali ne bursë për të pronontuar nje shezllong në vlore spo për të ngrenë një sheleg. Krejt bsnale historite që tregon Km. Vlora thahet e mbytet. Qelbet e dergjet, dergjet nga betoni e nga buzet e kuqe që i ka vu Km. Rrofsh.

      Lini një Përgjigje

      Editorial