
Spanja dhe Franca vijojnë të përballen me zjarre të mëdha pyjore, ndërsa vala e të nxehtit vazhdon të mbajë nën presion Evropën Jugore. Në të njëjtën kohë, disa vende të Ballkanit Perëndimor janë goditur nga stuhi të forta me breshër, pas ditëve me temperatura ekstreme.
Sipas 'Reuters', zjarrfikësit spanjollë vazhdojnë operacionet për shuarjen e vatrave aktive, ndërsa autoritetet e mbajnë në nivel shumë të lartë rrezikun për shpërthimin e zjarreve në pjesën më të madhe të vendit. Megjithatë, situata në provincën Guadalajara, në qendër të Spanjës, është përmirësuar, duke u mundësuar disa banorëve të rikthehen në banesat e tyre.
Në Francë, situata mbetet e rëndë pas tragjedisë së ndodhur të martën në rajonin jugperëndimor të Gironde, ku dy zjarrfikës humbën jetën pasi automjeti i tyre u përfshi nga flakët.
Autoritetet franceze u kanë bërë thirrje qytetarëve të shmangin përdorimin e barbekjuve dhe çdo aktivitet që mund të shkaktojë zjarr në zonat e prekura nga temperaturat e larta.
"Nëntë nga dhjetë zjarre nisin si pasojë e aktivitetit njerëzor, qoftë aksidentalisht apo qëllimisht", citohet të kenë deklaruar autoritetet franceze.
Ndërkohë, në Ballkanin Perëndimor, moti ka marrë një kthesë të fortë. Pas valës së të nxehtit, rajoni është goditur nga stuhi me breshër, të cilat kanë shkaktuar të plagosur në Maqedoninë e Veriut dhe në lindje të Kosovës.
Shkencëtarët vijojnë të paralajmërojnë se Evropa është kontinenti që po ngrohet më shpejt në botë. Sipas tyre, ndryshimet klimatike të shkaktuara nga aktiviteti njerëzor po rrisin intensitetin dhe shpeshtësinë e valëve të të nxehtit, thatësirave dhe zjarreve pyjore, duke krijuar njëkohësisht kushte për stuhi gjithnjë e më të forta dhe të paparashikueshme.
Lini një Përgjigje