
Tensionet e regjistruara gjatë protestës pranë Kuvendit kanë sjellë edhe të lënduar, ndërsa dyshohet se lëndët e përdorura nga Policia gjatë ndërhyrjes kanë shkaktuar pasoja te disa prej protestuesve.
Në pamjet e publikuara nga mediat shihen të paktën dy qytetarë që transportohen me ambulancë, pasi kanë marrë ndihmën e parë mjekësore në vendngjarje.

Gjatë përplasjes me protestuesit, Policia përdori ujë me presion, ujë të përzier me piper si dhe gaz lotsjellës për të shpërndarë turmën.
Ndryshe nga ndërhyrjet e mëparshme, këtë herë uji i hedhur në drejtim të protestuesve kishte ngjyrë blu. Deri në këto momente nuk ka një informacion zyrtar mbi përbërjen e lëndës së përdorur nga autoritetet.

Sipas pamjeve dhe dëshmive nga terreni, lënda e përdorur dyshohet se ka shkaktuar irritim të fortë në lëkurë, ndërsa disa protestues janë parë në gjendje të rënduar dhe me vështirësi menjëherë pas kontaktit me të.
Lini një Përgjigje