Vinicius Junior vazhdon të jetë një nga futbollistët më të rëndësishëm të Real Madridit, përfaqësueses së Brazilit dhe futbollit botëror. Megjithatë, e ardhmja e tij në “Santiago Bernabéu” duket gjithnjë e më e pasigurt, ndërsa po shtohen zërat për një largim të mundshëm.
Edhe pse drejtuesit e klubit nuk kanë dëshirë të heqin dorë nga 26-vjeçari, situata mes palëve është komplikuar, duke e bërë të vështirë vazhdimin e bashkëpunimit.
Sipas raportimeve, ardhja e José Mourinhos në stolin e Real Madridit nuk ka ndihmuar marrëdhënien mes klubit dhe brazilianit. Trajneri portugez e kishte kritikuar më herët Viniciusin, duke e cilësuar provokator gjatë një përballjeje të Realit me Benfikën në Ligën e Kampionëve. Po ashtu, thuhet se futbollisti nuk ka gjetur lehtësisht hapësirat e tij edhe nën drejtimin e pasuesit të Carlo Ancelottit, Xabi Alonso.
Aktualisht, Vinicius ka vetëm një vit të mbetur në kontratën me Real Madridin. Megjithëse kjo mund të ndikojë në uljen e vlerës së transferimit, drejtuesit madrilenë nuk kanë ndërmend të bëjnë lëshime. Presidenti Florentino Pérez thuhet se ka vendosur një çmim prej 160 milionë eurosh për kartonin e lojtarit.
Ndërkohë, sulmuesi brazilian vazhdon të refuzojë ofertën për rinovimin e kontratës. Arsyeja kryesore lidhet me aspektin financiar. Aktualisht ai përfiton 15 milionë euro në sezon, ndërsa Real Madridi i ka ofruar një kontratë të re me pagë prej 20 milionë eurosh në vit.
Megjithatë, kjo ofertë nuk e bind lojtarin, i cili kërkon një pagë prej 30 milionë eurosh në sezon, ose rreth 550 mijë euro në javë pas taksave.
Në mesin e klubeve të interesuara për shërbimet e Viniciusit përmendet Arsenali. Megjithatë, kostoja e lartë e transferimit, së bashku me kërkesat financiare të lojtarit, e bëjnë një marrëveshje të tillë mjaft të vështirë për t'u realizuar.
Lini një Përgjigje