TAGS-AT E JAVËS

Sport26 Korrik 2026, 11:31

“Ishte plani i Zotit”, Kristian Prenga u kërkon ndjesë shqiptarëve: Do të rikthehem më i fortë

Shkruar nga Pamfleti
“Ishte plani i Zotit”, Kristian Prenga u kërkon ndjesë
Kristian Prenga

Kristian Prenga nuk arriti të shkaktonte surprizën e madhe përballë ish-kampionit të botës në peshat e rënda, Anthony Joshua, duke u mposhtur me nokaut në raundin e dytë të duelit të zhvilluar në Xhedah të Arabisë Saudite. Megjithatë, boksieri shqiptar zhvilloi një nisje mbresëlënëse, duke e vendosur në vështirësi britanikun që në raundin e parë.

35-vjeçari hyri në ring me një ritëm të lartë dhe një qasje agresive, duke arritur ta rrëzonte dy herë Joshua-n në tapet gjatë raundit të parë. Edhe pse goditjet nuk u konsideruan plotësisht të pastra, paraqitja e shqiptarit ngjalli entuziazëm te tifozët e pranishëm. Pas këshillave të marra nga këndi i tij, Joshua ndryshoi qasjen dhe u rikthye më i vendosur në raundin pasues.

Në raundin e dytë, britaniku rriti intensitetin e goditjeve dhe, me një seri sulmesh të sakta e të fuqishme, e detyroi Prengën të tërhiqej në cep të ringut. Pas disa goditjeve radhazi, gjyqtari vendosi të ndërpriste sfidën, duke i dhënë Joshua-s fitoren me nokaut teknik.

Pas përfundimit të ndeshjes, Prenga reagoi me sportivitet, duke falënderuar të gjithë ata që e mbështetën dhe duke premtuar se do të rikthehet më i fortë.

“Urime për të. Kjo nuk ishte mbrëmja ime. Ishte plani i Zotit që ai të fitonte. Unë jam me Të. Çfarë Ai thotë, unë jam mirë. Mendova se mund ta bëja të njëjtën gjë edhe në raundin tjetër gjithashtu, por kjo nuk ndodhi.

Kisha vetëm 10% të tifozëve këtu sepse nuk kanë ardhur prej luftës. Por nëse do të ndodhte në Europë, ju premtoj se do të ishte 90% më shumë.

Ajo çfarë mund të them, ndjesë të gjithëve. Nuk ju bëra krenarë, por herën tjetër”, u shpreh Kristian Prenga.

Për Kristian Prengën, kjo ishte një nga ndeshjet më të rëndësishme të karrierës, pasi një fitore ndaj Anthony Joshua-s do ta afronte me elitën e boksit botëror dhe do t'i hapte rrugë mundësive edhe më të mëdha. Në përfundim të duelit, boksieri shqiptar u shfaq i emocionuar dhe me lot në sy, ndërsa u kërkoi ndjesë tifozëve shqiptarë që kishin udhëtuar drejt Arabisë Saudite për ta mbështetur nga afër.

Lini një Përgjigje